Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
, 21.09.2011
Duhet bërë më shumë për implementimin e Ligjit për barazi gjinore. Kështu u konstatua sot në dëgjimin publik, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky dëgjim publik zhvilloi punimet nën kryesimin e kryetares së Komisionit, Suzan Novobërdaliu, e cila fillimisht i njoftoi të pranishmit për qëllimin e këtij debati. Lidhur me këtë, ajo tha se Komisioni në fokus të angazhimeve të tij ka pasur monitorimin e këtij ligji, për ç'gjë ka formuar edhe grupin punues për të parë nga afër ecurinë e zbatimit të ligjit.
Në anën tjetër, përfaqësuesja e Agjencionit për Barazii Gjinore (ABGJ), Shqipe Krasniqi, duke vënë në pah mangësitë e ligjit dhe shkaqet e mos implementimit të tij, u shpreh se ligji aktual ka nevojë për plotësim- ndryshim. Duke folur për integrimin sa më të madh të grave në shoqëri, Krasniqi vlerësoi se zgjidhja e problemeve ekonomike është çelës për integrim të suksesshëm të gruas. Ndër shkaqet që pengojnë implementimin e ligjit, Krasniqi vuri në pah buxhetin e kufizuar dedikuar kësaj fushe dhe mungesën e zyrave e personelit nëpër komuna.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Policisë së Kosovës (PK), togerja Tahire Haxholli, duke vënë në pah gatishmërinë e policëve që ligji të gjejë zbatim sa më të madh, foli për masat e marra nga ana e policisë. Policia e Kosovës, vijoi ajo, në vitin 2007 ka nxjerrë Rregullore të Brendshme e cila përkufizon sjelljen e policisë dhe ngritë aftësitë profesionale në trajtimin e problematikës që ka të bëjë me barazinë gjinore. Lidhur me këtë, tha Haxholli, Policia e Kosovës ka emëruar zyrtarë në të gjitha nivelet për të parandaluar dhe hetuar shkeljet që mund të bëhen ndaj barazisë gjinore.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Juristëve "Norma", ndërkaq, tha se në mënyrë të veçantë kanë monitoruar disa nene të ligjit. Përkatësisht neneve që kanë të bëjnë me përfaqësimin e gruas, punësimit, pasurisë së krijuar gjatë jetës në martesë dhe të drejtën e trashëgimisë. Lidhur me këtë, përfaqësuesi i kësaj shoqate tha se rezultatet nuk janë inkurajuese.
Në këtë debat, opinionet e veta për ligjin dhe implementimin e tij shprehu edhe përfaqësuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala. Ai, me këtë rast përkujtoi se KMDLNJ edhe më herët ka shfaqur mosbesim në suksesin e zyrave komunale lidhur me barazinë gjinore, dhe shtoi se të njëjtin opinion ka edhe për Ajencionin për Barazi Gjinore. Dyshimin e tij në sukses të zyrave komunale dhe të ABGJ-së, Shala e arsyetoi me atë se: " Kosova ende nuk ka resurse të mjaftueshme për trajtimin e mirëfilltë të çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore". Po ashtu, Shala u shpreh edhe kundër dispozitës ligjore e cila përcakton kuotën prej 30% të përfaqësimit të gruas në jetën publike. E kundërshtojmë këtë kriter, tha ai sepse: " Me këtë, gratë bëhen rob të atij kriteri, ndërkaq, kriter duhet të jetë profesionalizmi me mundësi të barabarta", tha përfaqësuesi i KMDLNJ-së, Shala, duke shtuar tutje se kjo çështje është e rregulluar edhe me konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Lidhur me qëndrimin e shfaqur të Shalës reaguan kryetarja e Komisionit dhe përfaqësuesja e ABGJ-së. Po të mos ishte kjo dispozitë ligjore, sipas kryetares Novobërdaliu, përfaqësimi i grave në jetën publike s'do arrinte as në 5%. Duke e konsideruar si masë të përkohshme këtë dispozitë ligjore, Novobërdaliu tutje solli faktin se kjo ka bërë që Kosovën ta radhisë në vendin e 17 në botë për sa i përket përfaqësimit të gruas në jetën publike.
Në fund të debatit të sotëm u kërkua përkrahje edhe më e madhe institucionale për barazinë gjinore, ndërkaq, rekomandimet e shfaqura u vendos që t'i bashkëngjiten raportit final lidhur me implementimin e Ligjit për barazi gjinore.