Lajmet e fundit

Nga dita e dytë e vizitës së kryeparlamentarit Krasniqi në Gjermani

, 01.12.2011




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, ditën e dytë të vizitës zyrtare në Gjermani e ka filluar me pjesëmarrje në një seancë plenare në Bundestagun gjerman. Në fillim të seancës, kryetari Krasniqi është përshëndetur nga presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert.

Gjatë paradites së sotme, delegacioni i Kuvendit ka zhvilluar tri takime të tjera, në të cilat është pritur nga përfaqësuesit e Grupit Parlamentar FDP, nga kryetari i Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian, z. Gunther Krichbaum dhe nga zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU Andreas Schockenhoff, si dhe anëtarë të tjerë të këtij grupi.

Në të gjitha këto takime, temë bosht e bisedave ishte situata politike në Kosovë dhe zhvillimet e fundit në veri të vendit, dialogu me Serbinë dhe strukturat paralele serbe në veri, procesi i liberalizimit të vizave e perspektiva evropiane e Kosovës, bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës me EULEX-in, puna e Kuvendit dhe agjenda legjislative.
Duke iu përgjigjur interesimit të mikpritësve, për të gjitha këto çështje, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe anëtarët e tjerë të delegacionit, dhanë shpjegimet e nevojshme.

Duke bërë një përshkrim të zhvillimeve të fundit politike të sigurinë në vend, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se problemi i veriut është në politikën e Beogradit dhe ndërhyrjen e saj te qytetarët e kësaj pjese të Kosovës. Strukturat kriminale që veprojnë në veri, theksoi më tutje Krasniqi, fatkeqësisht mbështeten nga Beogradi. Ai foli edhe për përpjekjet e koordinuara të institucioneve të Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë për vendosjen e rregullit në atë pjesë.

Një çështje tjetër e veçantë që u ngrit në këto takime ishte edhe përpjekja e Kosovës për t'i përmbushur obligimet për liberalizimin e vizave, me ç'rast u kërkua nga zyrtarët gjermanë që të shtojnë ndikimin për përshpejtimin e këtij procesi.

Duke folur për Raportin e Progresit, kryetari Krasniqi shprehu gatishmërinë e Kuvendit për t'i përmbushur obligimet që dalin nga ky raport.

E përbashkët e këtyre takimeve ishte qëndrimi i Gjermanisë për ta mbështetur Kosovën edhe në të ardhmen, në të gjitha proceset e shtetndërtimit të saj, si në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme e sundimin e rendit në terë territorin e vendit, ashtu edhe në agjendën e saj për integrime evropiane.

Vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në Berlin vazhdon me takime të tjera që pritet të zhvillohen me zyrtarë të lartë të Gjermanisë.

Nga dita e dytë e vizitës së kryeparlamentarit Krasniqi në Gjermani