Lajmet e fundit

Fjalë e kryetarit Krasniqi në hapje të Seancës solemne të Kuvendit për nder të katërvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës

, 16.02.2012




Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë
Të nderuar miq dhe mysafirë
Të nderuar kolegë deputetë
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Zonja dhe zotërinj

Kam nderin e veçantë t'ju drejtohem me këtë fjalë rasti në shënim të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Republika e Kosovës i mbushi katër vjet të jetësimit të saj. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në këtë sallë, më 17 shkurt të vitit 2008 ishte akt historik dhe sublimues i luftërave të pareshtura të shumë brezave për liri dhe mëvetësi shtetërore të vendit tonë. `

Mosha e shtetit të Kosovës është e re, por ideali i popullit të tij për liri e pavarësi është i vjetër. Ky ideal frymëzoi e mobilizoi ndër dekada e shekuj bijat e bijtë më të mirë të kësaj toke, të cilët u nisën rrugës së vështirë, por të lavdishme për t'u bërë theror të lirisë. Jeta është çmimi më i lartë për çdo njeri, por që ia vlen të sakrifikohet për një kauzë të lartë siç është çlirimi i një populli.

Sot është dita e nderimit deri në përkulje për ata që i vunë gjoksin stuhive e rrebesheve të historisë dhe vendosën themelet e Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike.

Gjej këtë rast solemn t'u shpreh mirënjohje të thellë gjithë miqve tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA e BE dhe vendeve anëtare të NATO-s, që u vunë në anën e së drejtës dhe bënë të mundur çlirimin e shpejtë dhe pavarësimin e Kosovës, rindërtimin dhe demokratizimin e saj, afirmimin ndërkombëtar dhe njohjen nga afro nëntëdhjetë vende, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kosova duhej çliruar sepse e meritonte lirinë. Historia e saj është histori e luftërave të drejta për liri. Kosova duhej të shpallej e pavarur, sepse kishte derdhur gjakun lumë për pavarësinë dhe kishte fituar, sepse ky ishte vullneti i qytetarëve të saj.

Kosova e cilësuar me numër, më 17 shkurt u pagëzua me emrin e saj të plotë e të merituar: Republikë e pavarur, sovrane dhe demokratike. Ky emër i shkruar me gjak në fushëbetejat epike, në shkolla e shtëpi, në mure e në ballë, në zemër e në qelitë e errëta, merr përmasat e shenjtërisë që nuk lejon të preket, sepse lëndohet historia dhe lëkunden eshtrat e dëshmorëve. Të bashkuar rreth këtij emri dhe këtij amaneti, ne duhet të ndjekim në unitet e unison vijat e pentagramit të historisë, të bëra me gjakun e derdhur.

Kosova gjatë këtyre katër viteve të pavarësisë ka bërë hapa të mëdhenj, drejt ndërtimit e konsolidimit të shtetit demokratik, drejt ngritjes së institucioneve shtetërore, drejt fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar e zhvillimit të gjithanshëm shoqëror e ekonomik, por si çdo fillim, e sidomos ai i jetës së pavarur të popujve të sapo dalë nga luftërat çlirimtare, është i vështirë. Ja përse Kosovës, sikur në luftë edhe sot i duhen energjitë e potencialet e bashkuara për të arritur hapin e kohës dhe për të zënë proceset historike, nëpër të cilat po kalon rajoni ynë.

Ne duhet t'i mësojmë fëmijët tanë, jo vetëm ta duan vendin e tyre të shenjtë, por të përgatiten për të bërë punë dhe vepra të mëdha për të. E ardhmja e vendit tonë është në duart tona dhe duhet ndërtuar me duart tona.

Duke qenë historia njerkë ndaj nesh, zakonisht jemi vonuar në histori. Kosova u pavarësua e fundit nga subjektet konstituive të Federatës së Jugosllavisë. Tashti, jo vetëm nuk kemi më kohë për të humbur, por duhet kompensuar hapat e munguar. Vetëm duke dyfishuar ritmet e zhvillimit historik, Kosova mund të barazohet me vendet e lira prej kohësh, vetëm duke shfrytëzuar gjithë potencialin dhe vlerat e saj, mund të hyjë denjësisht dhe kokëlartë në familjen e integruar evropiane, atje ku e ka vendin gjeografikisht, historikisht, politikisht dhe kulturalisht.

Por, të vonuar janë edhe fqinjët tanë. Ky fakt duhet të na motivojë që energjitë tona të përbashkëta t'i fokusojmë në të ardhmen më të mirë të popujve dhe vendeve tona e të mos i shpenzojmë ato për të penguar njëri-tjetrin.

Dialektika e historisë do të gjejë rrugët e përparimit, duke mënjanuar pengesat dhe duke hedhur tej përfaqësuesit e së kaluarës së hidhur historike. Në gjithë Gadishullin tonë, po bëhet zotërues ideali i integrimeve e i partneritetit midis kombeve dhe vendeve.

Realiteti i ri i krijuar në Ballkan, sidomos pas Luftës çlirimtare të Kosovës, solli në këtë pjesë të Evropës prezencën ushtarake të NATO-s. Vendosmëria e këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë globale, për të mos lejuar përsëritjen e historisë tragjike, luan një rol të madh në zhdukjen e të gjitha tendencave luftënxitëse në rajonin tonë.

Shekulli XXI kërkon qasje të re në raportet e politikave të jashtme dhe të brendshme të shteteve ballkanike. Kjo qasje duhet të mbështetet në vlerat euroatlantike, duke nxjerrë konkluzione të drejta mbi të kaluarën e hidhur, duke zëvendësuar urrejtjen ndëretnike e shovinizmin me respektin reciprok, etnocentrizmin me solidaritetin, ekskluzivitetin me integrimet, mosdurimin nacional me diversitetin etnik, kulturor, gjuhësor e fetar, si pasuri vlerash demokratike. Për të ndodhur kjo kthesë, rajonit tonë i duhen liderë që kanë vullnetin dhe guximin për të ndërtuar vizionin e vlerave evropiane.

Në këtë përvjetor vjen fuqishëm zëri i kushtrimit nga vitet e rezistencës dhe nga vargu i pambarim i dëshmorëve të lirisë, vjen thirrja amanet e kryetrimit tonë legjendar, komandantit Adem Jashari, për të mbrojtur fitoret historike, për të kultivuar vlerat e traditës së shkëlqyer të popullit tonë dhe për të përparuar e zhvilluar vendin e të parëve tanë.

Para nesh është beteja e madhe e zhvillimit ekonomik, e zhdukjes së varfërisë, e zhvillimit demokratik dhe e sundimit të plotë të ligjit e të rendit në shoqëri.

Kosova po hyn në vitin e pestë të pavarësisë, si shtet modern evropian, demokratik dhe me respekt e njohje të gjerë ndërkombëtare. Ajo përbën sot një faktor shumë të rëndësishëm paqendërtues dhe bashkëpunues në rajonin tonë dhe më gjerë.

Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, me institucionet e konsoliduara demokratike, me sistemin modern kushtetues, me subjektivitet të sforcuar ndërkombëtar, me ritmet e zhvillimit progresiv dhe me rezultatet legjislative që e obligonin ndërkombëtarisht Kosovën, ne jemi nga fundi i fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë dhe të vendosur në trasenë e perspektivës së sigurt të vendit tonë, por edhe me plot sfida të brendshme e të jashtme.

Faleminderit.

Fjalë e kryetarit Krasniqi në hapje të Seancës solemne të Kuvendit për nder të katërvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovë