Lajmet e fundit
U nënshkrua Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe Projektit për mbështetje të mëtejme të Kuvendit të Kosovës
, 09.01.2007
Sot në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë është nënshkruar Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet kësaj biblioteke, Kuvendit të Kosovës, dhe Projektit për mbështetje të mëtejme Kuvendit të Kosovës. Me këtë akt solemn, kryeparlamentari, Kolë Berisha, drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Sali Bashota dhe udhëheqësi i Projektit për mbështetje të mëtejme të Kuvendit, Hugues de Courtivron, zyrtarizuan themelimin e njësisë moderne dhe funksionale të bibliotekës dhe dokumentimit në Kuvendin e Kosovës, që mundëson qasje të shpejtë dhe moderne të deputetëve në referenca dhe kërkim të materialeve parlamentare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë parlamente të vendeve perëndimore dhe biblioteka me renome.
Duke e marrë fjalën në këtë ngjarje, kryeparlamentari Berisha, pasi ka cituar një varg thëniesh të shkrimtarëve e të filozofëve për madhështinë e librit, ka spikatur se tash e tutje “ nëpërmjet rrugës elektronike, po i hapim mundësitë që në Kuvendin e Kosovës, libri të mund të vije nga të katër anët e botës”. “Me nënshkrimin e këtij Memorandumi të mirëkuptimit, edhe formalisht, këto tri subjekte, po vendosin raporte të bashkëpunimit për ofrimin e librit, për leximin e librit, për shfrytëzimin e librit për hulumtime shkencore, dhe për ruajtjen e kultivimin e librit”, ka theksuar Berisha.
Profesor Bashota është zotuar se Biblioteka Kombëtare dhe Universitare do të japë kontributin e saj sa i përket parimeve dhe udhëzimeve profesionale në funksionimin e bibliotekës së parlamentit, si bibliotekë e veçantë.
Udhëheqësi i Projektit, de Courtivron, duke shfaqur kënaqësinë për mbështetjen e këtij projekti, ka pohuar se ekspertët e Bibliotekës Kombëtare do t’i stërvitin deputetët dhe stafin e bibliotekës së Kuvendit për shfrytëzimin e informacioneve të kërkuara, aktivitet ky, i cili do të shoqërohet edhe me vizita në katër parlamentet që e mbështesin Kuvendin e Kosovës.