Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti ambasadorin e Kinës në Beograd dhe shefin e Zyrës kineze në Prishtinë

, 10.01.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot ambasadorin e Kinës në Beograd, Li Guobang dhe shefin e ri të Zyrës kineze në Prishtinë, Wang Wengang, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, për punën e Kuvendit gjatë vitit të shkuar dhe për prioritetet për këtë vit.

Kryeparlamentari Berisha në takim me diplomatët kinezë ka shprehur përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për shtet të pavarur të qytetarëve, me garanca për të drejtat e plota të minoriteteve. Këto garanca janë të deponuara në dokumentacionin e dorëzuar në zyrën e Ahtisarit, të cilat di t’i inkorporojmë edhe në Kushtetutën e Kosovës, ka thënë Berisha. Ai ka theksuar se në Kosovën e pavarur serbët do të jetojnë shumë mirë dhe se vendi do të ndjekë politikë të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, prandaj edhe me Serbinë. Berisha e ka vlerësuar shumë të rëndësishme mbështetjen e Kinës për statusin, konform vullnetit të popullit të Kosovës.

Ambasadori i Kinës në Beograd, Li Guobang, ka theksuar se vendi i tij i konsideron me përparësi negociatat direkte ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka premtuar se do të angazhohet që deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit. Zgjidhja e çështjes komplekse të Kosovës kërkon kohë dhe durim, ka pohuar diplomati kinez, i cili ka shfaqur shpresën se do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dy palët. Ai ka vlerësuar se një zgjidhje e tillë do të ishte me interes për gjithë rajonin.

Kryeparlamentari Berisha i ka uruar punë të mbarë shefit të ri të Zyrës kineze në Prishtinë, Wang Wengang dhe i ka premtuar bashkëpunim të mirë të tij dhe të institucionit, të cilin e udhëheq, ashtu sikurse me të gjitha zyrat e tjera diplomatike në Prishtinë.

Kryeparlamentari Berisha priti  ambasadorin e Kinës në Beograd dhe shefin e Zyrës kineze në Prishtinë