Lajmet e fundit

Anëtarët e Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar u kthyen nga vizita në Belgjikë dhe në Francë

, 19.01.2007




Një delegacion i Kuvendit të Kosovës i udhëhequr nga kryetari i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Evro-Atlantike, Sabri Hamiti, në përbërje të të cilit kanë qenë edhe anëtarët e Komisionit: Xhavit Haliti, Alush Gashi, Bajram Rexhepi, Teuta Sahatqija dhe Xhezair Murati, u kthye sot nga a vizita disaditëshe në Belgjikë dhe në Francë.

Parlamentarët kosovarë kanë pasur takime të frytshme me senatorë dhe parlamentarë belgë, me përfaqësues të Asamblesë Nacionale të Francës, si dhe me përfaqësues të Ministrive të Jashtme të të dyja vendeve, në të cilat është biseduar për bashkëpunim të ndërsjellë dhe për rrugën e Kosovës në integrimet Evropiane.

Në takimet në Ministrinë e Jashtme të Francës dhe atë të Belgjikës, ndërkaq është biseduar edhe për çështjen e statusit të Kosovës. Në të dyja ministritë është shprehur qëndrimi se gjatë përcaktimit të statusit duhet të merret parasysh vullneti i qytetarëve të Kosovës.

Për nder të parlamentarëve nga Kosova, pritje të veçanta kanë organizuar kryetarja e Senatit Belg, Anne-Marie Lizin dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Herman De Croo.

Anëtarët e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Evro-Atlantike, në të kthyer, i kanë vlerësuar shumë të rëndësishme edhe takimet me kryetarin delegacionit francez në Parlamentin Evropian, Pierre Lequiller, atë me drejtorin për Evropën kontinentale, Jean- François dhe atë me Edouard Bellay, drejtor për Evropën ballkanike dhe çështjen e Kosovës.

Anëtarët e Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar u kthyen nga vizita në Belgjikë dhe në Francë