Lajmet e fundit
Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për tatimin në vlerën e shtuar
, 31.01.2007
Të krijojmë një ambient sa më të favorshëm, që bizneset të veprojnë sa më lirë dhe të kenë një zhvillim sa më të frytshëm. Për të arritur këtë është e nevojshme të bëhet shkallëzimi i TVSH-së, përkatësisht të ketë edhe TVSH prej pesë për qind. Këtu do të përfshiheshin prodhimet e shportës familjare.
Po kështu, paraqitet si domosdoshmëri heqja e TVSH-së për pemë, perime dhe qumësht, për të cilët në praktikën e deritashme përpunuesit detyroheshin të paguajnë TVSH. Këto ishin disa nga konstatimet e dëgjimit publik lidhur me Projektligjin për TVSH-në, të organizuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, i kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, në të cilin ishin ftuar edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve.(Përfaqësuesit e Odës Amerikane nuk kishin ardhur në dëgjim).
Të gjithë diskutuesit u angazhuan që të bëjnë një Ligj në pajtim me standardet më të avancuara evropiane për të qenë ai sa më praktik. U tha se Projektligji ka disa paqartësi, ndaj duhet të bëhet më shumë që ai të jetë sa më i qartë. U propozua që TVSH-ja të hiqet edhe në rastin e importimit të pajisjeve për kapacitetet prodhuese. Diskutuesit angazhoheshin për praktika sa më të mira, por asnjëri nuk ishte kundër aplikimit të TVSH-së.
Në mbledhjen e këtij Komisioni mori pjesë edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, i cili u angazhua për një kontakt sa më të afërt me biznesin për tu kuptuar interesin esencial të tij. Në këtë vështrim ai tha se mirëpresim sugjerimet.