Lajmet e fundit

Të premten deputetët diskutojnë për Pakon e Ahtisarit

, 06.02.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar mundësitë për të diskutuar në Kuvend për propozimin mbi Marrëveshjen për Statusin e Kosovës.

Pas shoshitjes së gjithanshme të kontekstit politik në vend dhe interesit të qytetarëve të Kosovës për t’u njoftuar drejtpërdrejt nga anëtarët e Grupit Negociator të Kosovës për Pakon e Ahtisarit, anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare (ishte i pranishëm edhe shefi i Listës Serbe, Rangjel Nojkiq) janë pajtuar që seanca plenare e së premtes (më 9 shkurt) t’i kushtohet diskutimit lidhur me dokumentin e emisarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Është vlerësuar se një qasje e tillë do të ishte e vlefshme edhe për vetë Grupin Negociator, para takimit të Vjenës, më 13 shkurt.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare e kanë parë të arsyeshme që gjatë muajve në vazhdim të reduktohen vizitat e deputetëve jashtë vendit, pikërisht për të qenë më të fokusuar në procesin përfundimtar të përcaktimit të statusit të vendit.

Të premten deputetët diskutojnë për Pakon e Ahtisarit