Lajmet e fundit

Diskutim publik lidhur me Ligjin për trajtimin e ndërtimit ilegal

, 06.02.2007




Këshilli për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, për Mjedisin dhe Planifikimin Hapësinorë të Kuvendit të Kosovës, të cilin e kryesoi z. Lulzim Zeneli, nënkryetar i parë i Këshillit, organizoi sot diskutimin publik mbi Projektin e Ligjit lidhur me trajtimin e ndërtimeve ilegale, që para dy muajve në parim u pranua nga Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e tij të rregullt.

Në diskutimin e theksuar publik, përveç anëtarëve të Këshillit të lartpërmendur, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor. (si sponsor të projektligjit të përmendur), përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural dhe përfaqësuesit e drejtorive komunale për mbrojtjen e mjedisit dhe planifikimit hapësinor dhe drejtorive për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural, përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës, përfaqësuesit e Agjensionit Kadastral të Kosovës si dhe përfaqësuesit e Fakultetit të Arkitekturës nga Prishtina dhe përfaqësuesit e USAID-it.

Duke diskutuar për këtë Projektligj, midis të tjerash u theksua se jemi vonuar në nxjerrjen e këtij Ligji sepse një ligj i këtillë ose i ngjashëm është dashur që shumë më herët të nxirret. Sepse në këtë mënyrë do të pengohej kaosi i vërtetë që tash është i pranishëm në tërë Kosovën në fushën e ndërtimeve të reja. Me nxjerrjen e këtij ligji, para së gjithash dëshirohet që të legalizohen ato ndërtime të reja të cilat qytetarët i kanë ndërtuar në mënyrë ilegale, do të thotë pa leje nga ana e drejtorive urbanistike komunale, por që këto ndërtime janë në pajtim me planet urbanistike komunale. Kurse të gjitha ndërtimet e reja ilegale të tjera, që nuk janë në harmoni me planet urbanistike komunale dhe që nuk kanë leje për ndërtim, duhet të rrënohen. Me këtë ligj, gjithashtu dëshirohet që të krijohen kushtet ligjore që të ndalohen ose në mënyrë drastike të pengohen ndërtimet ilegale.

Në vazhdim të diskutimit publik u tha se për të arritur sukses në këtë fushë duhet që para së gjithash Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, drejtoratet urbanistike komunale dhe inspekcionet urbanistike bashkërisht duhet t’i koordinojnë, përkatësisht t’i harmonizojnë aktet e tyre normative.
Diskutim publik lidhur me Ligjin për trajtimin e ndërtimit ilegal