Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 08.02.2007
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës pasi ministrat u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë, është proceduar me miratimin e ligjeve. Është miratuar teksti përfundimtar i Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, kurse pasi janë shqyrtuar për herë të dytë dhe më pastaj edhe janë miratuar: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prokurimin publik në Kosovë, nr. 2003/17, ai për Raportimin financiar të ndërmarrjeve dhe ai për Shpronësimet me interes publik.
Në këtë seancë është shqyrtuar propozimi i Grupit Parlamentari AAK-së për miratimin e Rezolutës për organizimin e diasporës kosovare. Pasi është debatuar gjerësisht për këtë çështje, ka dominuar mendimi që deri në seancën e ardhshme duhet të harmonizohet teksti i rezolutës (nga grupet parlamentare) dhe të theksohet qartas kërkesa që Qeveria në një afat të shkurtër (brenda 120 ditësh) të përgatisë Ligjin për organizimin e diasporës.
Sipas kërkesës së një grupi të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme është hapur debat për tre qytetarë të Kosovës, që akuzohen në Gjyqin e Hagës.Deputetët janë pajtuar që edhe për këtë çështje të harmonizohen qëndrimet e grupeve parlamentare.
Deputetët i kanë dhënë mbështetje mocionit të shtatë deputetëve për shpalljen e 27 prillit - Ditë e të pagjeturve në Kosovë, me vërejtjen se kjo zgjidhje vlen derisa çështja të rregullohet me ligj të veçantë.
Deputetët janë njoftuar me vendimin e Kryesisë së Kuvendit për rishpalljen e konkursit për emërimin e Avokatit të Popullit dhe të zëvendësit kryesor të tij.