Lajmet e fundit

Dëgjim publik lidhur me Projektligjin mbi punën, grevën dhe organizimin sindikal

, 16.02.2007




Projektligji mbi punën, grevën dhe organizimin sindikal është përgatitur dhe harmonizuar sipas standardeve më bashkëkohore botërore nga kjo fushë. Me rastin e hartimit të tekstit të këtyre projektligjeve janë marrë parasysh si përvojat regjionale, ashtu edhe ato kosovare nga këto fusha. Me këto konstatime filloi dëgjimi i sotëm publik lidhur me Projektligjin mbi punën, grevën dhe organizimin sindikal që e ka organizuar Komisioni i Shëndetësisë, i Punës dhe i Përkujdesjes Sociale të Kuvendit të Kosovës, e të cilin e kryesoi Fatmire Mullhaxha Kollçaku, kryetare e këtij Komisioni.

Në këtë dëgjim publik, përveç anëtarëve të Komisionit të lartpërmendur, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe të Politikës Sociale në krye me ministrin Ibrahim Selmanaj, në cilësi të propozuesit të Projektligjit, pastaj përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës, të Kulturës dhe të Teknologjisë, të Shoqatës së Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, të Lidhjes së Ekonomistëve të Kosovës, të Institut të Politikës Sociale, të Zyrës së Barazisë Gjinore të Qeverisë së Kosovës, të Zyrës së Ombudspersonit si dhe përfaqësuesit e zyreve ligjore të KEK-ut dhe të PTK-ës.

Pjesëmarrësit e këtij dëgjimi publik përveç tjerash theksuan se këto tri projektligje janë me interes mjaft të madh për qytetarët e Kosovës. Me këto ligje rregullohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e marrëdhënies së punës midis punëtorit dhe punëdhënësit, kontratat kolektive, koha e punës së të punësuarve, pushimet me pagesë dhe pa pagesë të të punësuarve, pushimi i lehonisë, mbrojtja në vendin e punës, paga minimale dhe të ardhurat e tjera, arsyet dhe arsyetimet ligjore për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, mbrojtja e të drejtave të të punësuarve nga marrëdhënia e punës, si dhe rregullohet puna e organizimit sindikal, të drejtat e grevës, e të tjera.

Në dëgjimin e lartpërmendur publik u tha se implementimi i këtyre ligjeve, e para së gjithash i Ligjit mbi punën, kërkon mjete të mëdha monetare të cilat tash për tash nuk ekzistojnë, prandaj sa më parë duhet drejtuar institucioneve ndërkombëtare financiare në mënyrë që të gjendet ndonjë kompromis për realizimin e këtyre ligjeve.

Në fund të këtij dëgjimi publik, anëtarët e Komisionit të Shëndetësi,së të Punës dhe të Përkujdesjes Sociale të Kuvendit të Kosovës i përkrahën këto tri projektligje me disa vërejtje që kanë për qëllim përmirësimin e mëtejshëm të tekstit të këtyre projektligjeve.
Dëgjim publik lidhur me Projektligjin mbi punën, grevën dhe organizimin sindikal