Lajmet e fundit

Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar priti një grup deputetësh të Parlamentit Evropian, Grupi i të gjelbërve

, 21.02.2007




Komisioni Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike ka pritur sot një grup deputetësh të Parlamentit Evropian (Grupi i të gjelbërve), në përbërje: Angelika Beer, Tobias Heider e Paolo Bergamaschi. Në takim është biseduar për procesin për përcaktimin e statusit të Kosovës, për punën e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, si dhe për bashkëpunimin në të ardhmen të këtij komisioni me Parlamentin Evropian.

Fillimisht, kryetari i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, Sabri Hamiti, ka theksuar se populli i Kosovës është duke pritur me padurim përfundimin e procesit për përcaktimin e statusit të Kosovës, që do të jetë pavarësia, e të cilën e ka quajtur çështje ekzistenciale për popullin e Kosovës, sepse me te, ka spikatur Hamiti, lidhen edhe çështjet e zhvillimit social dhe ekonomik të vendit edhe raportet ndëretnike. Ai ka pohuar gjithashtu se Grupi Negociator i Kosovës po punon me gjithë kapacitetin për përfundimin me sukses të statusit dhe ka tërhequr vëmendjen se assesi nuk bën të shtyhet zgjidhja për Kosovën. Hamiti e ka njoftuar grupin e deputetëve gjermanë në Parlamentin Evropian se deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë diskutuar një ditë të tërë Pakon e Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe vërejtjet e tyre i kanë marrë anëtarët e Grupit Negociator, të cilët do t’i prezantojnë sot në takimin e Vjenës.

Grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian ka qëndrim të qartë për të ardhmen e Kosovës, ka thënë kryesuesja e delegacionit, Angelika Beer, e cila është shprehur se Kosova duhet përfshirë sa më parë në “gjinin familjar evropian”. Ajo është shprehur se Evropa është unike që ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit. “Është me rëndësi që zëri Kuvendit të Kosovës dhe i komisionit tuaj të dëgjohet edhe në Bruksel”, ka thënë Beer.

Edhe anëtarët e tjerë të komisionit janë shprehur të bindur se Grupi i të Gjelbërve dhe evroparlamentarët e tjerë gjermanë do ta mbështesin Rezolutën për Kosovën e cila është duke u përgatitur në Bruksel dhe kanë theksuar se qytetarët e Kosovës historikisht dhe kulturalisht i përkasin Evropës, ndërkaq duan që edhe politikisht të jenë Evropë.

Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar priti një grup deputetësh të Parlamentit Evropian, Grupi i të gjelbërve