Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, z. Mihael Shefer

, 23.02.2007




Drejtori Politik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Mihael Shefer , në kuadër të takimeve me drejtuesit e institucioneve të Kosovës është pritur në një takim edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.

Tema kryesore e bisedës ka qenë faza e tanishme e proceseve për finalizimin e statusit të Kosovës dhe angazhimet parësore për palën kosovare, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare ,veçanërisht për BE-në.

Z.Berisha ka paraqitur një ekspoze të hollësishëm për zhvillimet e fundit në Kosovë në dritën e përpjekjeve rreth statusit, si dhe rolin e Kuvendit të Kosovës në këto rrjedha. Kryeparlamentari Berisha ritheksoi përkrahjen e institucioneve të Kosovës për Pakon e z. Ahtisari dhe zbërtheu shumë detaje të përmbushjes së standardeve nga Kuvendi, por edhe nga institucionet e tjera . Në çdo hap shihet vizioni ynë i qartë për të ardhmen e Kosovës , dhe mund të vërehen garancitë tona ligjore e kushtetuese se pavarësia e Kosovës, pos që është vullnet i shumicës do të jetë edhe në interes të komunitetit serb të Kosovës , në interes të minoriteteve të tjera, por edhe në interes të stabilitetit të rajonit, tha kryeparlamentari Berisha.

Ai ka falënderuar autoritetet gjermane për angazhimet në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe në formimin e konsensusit rreth Pakos së z.Ahtisari në BE, ku Gjermania aktualisht është kryesuese e radhës në një moment kaq të rëndësishëm për Kosovën.

Zyrtari i lartë gjerman theksoi rëndësinë që ka qëndrimi unik i të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të përkrahur angazhimet dhe Pakon e z.Ahtisari, si dhe për përpjekjet që po bën Gjermania , në mënyrë që ky qëndrim unik për Kosovën të ruhet deri në momentin e vendosjes në Këshillin e Sigurimit. Nëse vendet anëtare të BE-së do të jenë të bashkuara,tha Mihael Shefer do të jetë më lehtë të binden për përkrahje të procesit edhe nga vendet e tjera të Këshillit të Sigurimit.

Z. Shefer theksoi se tek disa vende ende ka qëndrime hezituese ndaj procesit, prandaj bëri thirrje që institucionet e Kosovës të përqendrohen me të gjitha forcat në këtë proces, i cili në javët në vazhdim do të bëhet edhe më intensiv .

Gjermania është përkrahëse e këtij procesi që ka në fokus zgjidhjen e statusit të Kosovës , tha Shefer, duke kërkuar nga pala kosovare që ta bëjë pjesën e vet të punës . Na ndihmoni që t’ u ndihmojmë ,tha Shefer, sepse me angazhim të vazhdueshëm e konstruktiv Kosova do t’ i dërgojë botës sinjale pozitive , imazh të mirë, të cilat do të jenë me rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën.

Në këtë vështrim z.Shefer dhe z.Berisha patën vlerësim të njëjtë se dhuna, e çdo lloji dhe nga kushdo që të bëhet , është sinjal i keq që rrezikon dhe dëmton seriozisht procesin e statusit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha priti drejtorin politik në Ministrinë  e Jashtme të Gjermanisë, z. Mihael Shefer