Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

, 23.02.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pasur sot një takim të përbashkët me kryetarët e komisioneve parlamentare, me të cilët ka biseduar për planet e punës së komisioneve për vitin 2007 dhe për një dinamikë më të mirë të procedimit të projektligjeve, pas leximit të parë.

Në takim është konstatuar se shumica e komisioneve parlamentare i kanë miratuar planet e punës ose janë në përfundim e sipër, ndërkaq, ka pasur ankesa se për shkak të mungesës së planit të përpiktë të ministrive për dinamikën e hartimit të ligjeve të caktuara, nuk ka mundur të parashihet saktësisht dinamika e punës së komisioneve për shqyrtimin dhe amendamentimin e projektligjeve.

Në këtë takim, kryeparlamentari Berisha ka kërkuar një punë shumë më dinamike të komisioneve parlamentare, duke pasur parasysh se Kuvendit do t’i vijnë shumë shpejt për miratim edhe një varg ligjesh sistemore, të parapara në Planin e Ahtisarit për statusin e Kosovës.

Si shembull se si në ndonjë rast vonon miratimi i ligjeve shumë të nevojshme për Kosovën është përmendur Ligji për Ushqimin. Për shkak të mospajtimit të dy komisioneve parlamentare për çështje kompetencash ( ndërmjet Komisionit për Shëndetësi dhe atij për Bujqësi) po vonohet miratimi i këtij projektligji, prandaj është kërkuar që kryeparlamentari t’i takojë këto dy komisione dhe të ndikojë që të tejkalohen mosmarrëveshjet.

Në takim është konstatuar se disa ligje të miratuara nuk po gjejnë zbatim të plotë, kurse ka pasur kritika edhe për disa ministri, të cilat në emër të efikasitetit në planin e zbatimit të ligjeve, nxjerrin urdhëresa administrative, të cilat nuk udhëzojnë se si të zbatohet ligji, por thjesht marrin karakterin e normave juridike, që shkakton konflikt kompetencash ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit të vendit.

Kryeparlamentari Berisha takoi kryetarët e komisioneve parlamentare