Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa
, 28.02.2007
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës , i kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, shqyrtoi sot Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma nr. 02-2522-L102/4, me raportin e komisionit funksional – Komisioni për Bujqësi, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, me amendamente dhe Projektligjin për bletarinë nr. 02-2742-L111/1, me raportin e komisionit funksional – Komisioni për Bujqësi, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, me amendamente. Përkitazi me këtë u tha se këto projektligje nuk kanë implikime buxhetore, ndaj edhe u përkrahën për procedim të mëtejmë në Kuvend ( në shqyrtim të dytë).
Komisioni kishte në rendin e ditës edhe shqyrtimin e Projektligjit për adaptimin e Konventës së Këshillit të Evropës mbi Krimin në Fushën e Kibernetikës, me raportin e komisionit funksional - Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion, me amendamente. Sa i përket këtij Projektligji u tha se nuk mund të ketë adaptim të Konventës, por duhet të bëhet projektligj i mirëfilltë që rregullon mbrojtjen nga krimi në këtë fushë. Në këtë vështrim u pa më e udhës që të ftohet në një mbledhje të këtij komisioni, kryetari i Komisionit funksional, për të parë mënyrën se si duhet të tërhiqet projektligji nga procedura e për të bërë tekstin e ri të Projektligjit mbi krimin në fushën e kibernetikës.
Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe Propozim plani i punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa për vitin 2007.