Lajmet e fundit

Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, vizitoi Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

, 27.02.2007




Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga Ibush Jonuzi, kryetar, vizitoi Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në fillim të vizitës, në hapësirat e Drejtorisë së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, anëtarët e Komisionit u takuan me drejtorin gjeneral z. Afrim Haziri dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Në takimin e përmendur, duke u informuar për punën e gjithmbarshme të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, a posaçërisht drejtori Haziri theksoi se prej vitit 2004 nga KFOR-i i kanë marrë të gjitha kompetencat lidhur me menaxhimin e Aeroportit. Në vazhdim u theksua se ky Aeroport punon dhe funksionon sipas standardeve ndërkombëtare, d.m.th. sipas standardeve të IHO-së dhe se vitin e kaluar nga ana e Organizatës Ndërkombëtare për Komunikacionin Civil, ky aeroport është shpallur si aeroport më i suksesshëm për bartjen deri në një milion udhëtarë.

Në vazhdim të mbledhjes u theksua se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, në dy vitet e fundit, ka realizuar disa projekte kapitale, prej të cilave duhet përmendur si vijon: rekonstruktimi i një pjese të pistës, rrethimi i saj me tel, zgjerimi i platformës, modifikimi i terminalit, garazhi i zjarrfikësve dhe rruga e re me asfalt për automjete, kështu që me këto projekte Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës tashmë është modernizuar dhe ofron të gjitha kushtet e domosdoshme, si për bartje të udhëtarëve, ashtu edhe në krijimin e kushteve dhe shërbimeve sa më të mira për ta, pranimin e mallrave dhe shpërndarjen e tyre. Në bisedë është theksuar se gjatë vitit 2006 është bërë edhe racionalizimi i vendeve të punës, d.m.th. prej gjithsej 631 punëtorësh në fillim të vitit, në fund të vitit ky numër u reduktua në gjithsej 571 punëtorë.

Drejtori i këtij Aeroporti, z. Haziri, përveç tjerash theksoi se ky aeroport bashkëpunon me gjithsej 17 kompani dhe se gjatë kohës së fluturimeve të sezonit të sivjetmë veror, pritet të bashkëpunojë edhe me 23 kompani të tjera. Drejtori Haziri, duke folur për problemet, përkatësisht vështirësitë, theksoi se mungesë më të madhe paraqet mos nxjerrja e Ligjit për Komunikacionin Civil dhe moslicencimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Gjatë vizitës së këtij aeroporti, anëtarët e Komisionit vizituan edhe Pirgun kryesor, Garazhin e zjarrfikësve, Zyrën për planifikim dhe Qendrën meteorologjike, që janë në përbërje të këtij aeroporti.
Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, vizitoi Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës