Lajmet e fundit
Kolumne-shkruan Kolë Berisha
, 02.03.2007
Të nderuar bashkëqytetarë,
Kosova është në një situatë tepër të veçantë, prandaj nuk është e tepërt që, në këto rrethana dhe për çdo ditë, t’ia përsërisim vetes dhe të tjerëve disa gjëra.
Momentet nëpër të cilat po kalon Kosova, për herë të parë në historinë e saj mijëravjeçare; shqetësimet deri diku të arsyeshme të një pjese të qytetarëve të saj se çfarë po ndodh me fatin e Kosovës, cili do të jetë rezultati në përfundim të këtij procesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës; mungesa e një komunikimi më të drejtpërdrejtë, ku ekspertë të fushave të ndryshme, me kompetencë, do të zbërthenin çdo fjalë apo fjali të Dokumentit të Ahtisarit për ta bërë më të kapshëm, më të qartë për të gjitha nivelet e shoqërisë kosovare; momenti vendimtar kur dokumenti i Ahtisarit do ta marrë formën e tij të prerë; si dhe një numër i madh i interesimeve tuaja të tjera, më shtyri që, përmes kësaj mënyre, t’ju drejtohem juve, bashkëqytetarë të nderuar.
Që në fillim, dua të them se janë të kuptueshme plotësisht shqetësimet tuaja të sinqerta, sepse, një kohë, derisa nuk e kishim në dorë Dokumentin e z. Ahtisari dhe nuk e dinim në hollësi përmbajtjen e atij dokumenti, shqetësime kishim edhe ne. Ndërkaq, nga 2 shkurti i këtij viti, kur ky dokument u bë publik, jemi shumë më të qetë. Është e kuptueshme se secili qytetar e lexon, e kupton dhe e interpreton në mënyrën e vet Dokumentin e z. Ahtisari. Dhe, kjo është e drejtë e pamohueshme, por pa harruar faktin se, pikërisht nga ajo mënyrë e të lexuarit, e të kuptuarit dhe e të interpretuarit, krijohen edhe opinione, që nuk do të thotë gjithmonë se janë të sakta.
Sikundër që asgjë në jetë nuk është ideale, as Dokumenti i z. Ahtisari nuk është krejtësisht i përkryer. Në të ka edhe aspekte në të cilat do të duhej një ndërhyrje e lehtë dhe, për të cilat, ne, si Ekip i Unitetit, bashkë me mekanizmat tanë (Grupi Politik Strategjik si dhe grupet e ekspertëve kosovarë e ndërkombëtarë të fushave të ndryshme), e kemi thënë fjalën tonë. Këtë po vazhdojmë ta bëjmë çdo ditë përmes komunikimeve me Zyrën e UNOSEK-ut. Megjithatë, duhet vënë në spikamë se, ky dokument, i tillë siç është, hap një rrugë të sigurt për përmbushjen e aspiratave tona. Thjesht, Dokumenti i z. Ahtisari mundëson që Kosova të shkëputet nga Serbia. Dokumenti i z. Ahtisari ia njeh Kosovës atributet e shtetit të pavarur.
Pra, nuk ka arsye për shqetësime të atyre përmasave që do ta destabilizonin situatën në Kosovë. Çdo destabilizim i situatës, në këto momente, Kosovës do t’i kushtonte shumë shtrenjtë. Një gabim i tillë nuk i lejohet askujt dhe nuk do t’i falej askujt.
Gabimet e kësaj kohe janë më të kushtueshme dhe vështirë të riparueshme. Do të ishte, pa dyshim, gabim i rëndë nëse në këto çaste nga Kosova i dërgohen botës mesazhe dhe pamje dhune, siç i pamë më 10 shkurt në rrugët e Prishtinës. Dhuna nuk është mjet për realizimin e aspiratave tona të drejta e të ligjshme. Përkundrazi, çdo lloj dhune që rrezikon jetët e njerëzve dhe pasurinë shoqërore, si dhe institucionet e Kosovës në një moment kaq të ndjeshëm, do të jetë argument i kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës.
Qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë kundër çfarëdo forme të dhunës dhe e dënojnë fuqishëm atë. Qytetarët kanë të drejtë dhe liri të plotë të manifestimit të opinionit të tyre edhe përmes protestës. Mirëpo, kjo nuk nënkupton dhe nuk justifikon asnjë formë manifestimi të dhunshëm. Të mendohemi mirë për veprimet tona.
Miqtë e dëshmuar e të sinqertë të Kosovës po na këshillojnë çdo ditë që të jemi në nivelin e përgjegjësisë dhe të dëshmojmë shkallë të lartë të vetëdijes e të pjekurisë që kërkohet për këto situata.
Duke përfunduar këta rreshta, ju kujtoj edhe një herë që, asnjëherë në historinë e saj, Kosova nuk ka qenë në një pozicion më të mirë se që është tani. Kosova kurrë nuk ka qenë më afër cakut që ka synuar me shekuj të tërë. Kosova edhe me dokumente ndërkombëtare po shkëputet nga Serbia. Kosova po bëhet shtet. Kjo është me rëndësi.