Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 05.03.2007
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka biseduar gjerësisht për nevojën urgjente të krijimit të simboleve shtetërore të Kosovës, kërkesë kjo e shtruar edhe nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Anëtarët e Kryesisë kanë vlerësuar se është vonuar për sa i përket krijimit të simboleve shtetërore të Kosovës: flamurit, stemës dhe himnit. Duke konstatuar se Kosovës i mungon Ligji për simbolet shtetërore të Kosovës është kërkuar nga Qeveria që të përshpejtohet proceduara për hartimin dhe miratimin e këtij ligji. Ndërkaq, është parë e nevojshme takimi për këtë çështje i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me presidentin Sejdiu e pastaj edhe me mekanizma të tjerë: Qeverinë, shefat e grupeve parlamentare, UNMIK-un etj.
Kryesia në po këtë mbledhje ka shqyrtuar edhe propozimprogramin e punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2007, si dhe kalendarin vjetor të aktiviteteve të mekanizmave të Kuvendit. Programi është bazuar në dokumentin e Qeverisë për Strategjinë Legjislative për vitin 2007, propozimplanin e punës së komisioneve parlamentare dhe në Dokumentin e Ahtisarit për statusin e Kosovës. Në këtë program është paraparë shqyrtimi dhe miratimi i 103 ligjeve të reja, si dhe miratimi i 26 projektligjeve të tjera, të cilat kanë kaluar shqyrtimin e parë.
Duke e shqyrtuar kërkesën e disa deputetëve të Kuvendit për të debatuar, në një seancë të veçantë, për ngjarjet e 10 shkurtit 2007, Kryesia ka vlerësuar se para se çështja të shtrohet në ndonjërën nga seancat vijuese, nevojitet një raport i Ministrisë së Punëve të Brendshme për këto ngjarje.
Sa i përket propozimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, Kryesia ka vlerësuar se nevojiten të dhëna shtesë, para se të vendosë për këtë çështje.
Kryesia ka tumirë sqarimin e Komisionit për Tregti, Industri dhe Energjetikë lidhur me nismën për hartimin e Projektligjit për veprimtarinë afariste në fushën e ujërave, ujërave të zeza dhe të mbeturinave, të cilin e ka lejuar, duke tërhequr vërejtjen se për hartimin e tij nuk do të ketë kompensim shtesë material.
Në këtë mbledhje është mbështetur kërkesa e Grupit Parlamentar ORA për interpelancë të ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri., lidhur me lejimin e pagesës së veturës së blinduar, nga linjë buxhetore e paraparë për tjetër destinim.
Është tumirë gjithashtu edhe kërkesa e një grupi deputetësh që kryetari i ART-së, Anton Berisha, të raportojë në seancë plenare për ecurinë e punës së përzgjedhjes së Operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë
Kryesia ka përshëndetur vullnetin e kryeministrit Çeku, që tre deputetë, nga Komisioni Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar, ta shoqërojnë atë gjatë vizitës zyrtare në Turqi.Kryesia, ndërkaq, i ka refuzuar kërkesat e disa deputetëve dhe të komisioneve parlamentare për vizita jashtë vendit, duke i cilësuar ato si vizita të cilat nuk janë në funksion të bashkëpunimit ndërparlamentar.