Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha u kthye nga vizita zyrtare në Vatikan

, 08.03.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha, është kthyer sot nga një vizitë zyrtare në Vatikan, gjatë së cilës është pritur në audiencë, kurse më pastaj është takuar edhe sy më sy me Atin e Shenjtë, Papa Bendiktin XVI , ndërkaq është takuar edhe me kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, z. Umberto Ranieri.

Në të kthyer, Berisha u ka deklaruar gazetarëve se takimin me Papa Bendiktin XVI e vlerëson shumë të rëndësishëm për çështjen e Kosovës, duke vënë në pah se pas vdekjes së presidentit Rugova, ky është takimi më i lartë, i realizuar në këtë nivel. Duke përkujtuar se kjo është vizita e tij e dytë në Vatikan, brenda gjashtë muajve, Berisha ka theksuar se Ati i Shenjtë është decidiv për çështjen e Kosovës dhe se ka njohuri të posaçme për zhvillimet në Kosovë.

Porosia e Atit të Shenjtë për popullin e Kosovës, u ka thënë Berisha gazetarëve është se, Ai e bekon popullin e Kosovës, se lutet për te dhe se angazhohet për te. “Është popull që e meriton të jetojë në paqe dhe qetësi”, ka vlerësuar Papa Benedikti i XVI.

Në pyetjen e një gazetari se a e përkrah Papa pavarësinë e Kosovës, Berisha është përgjigjur: “Papa shprehet ndryshe. Ai e përkrah të drejtën e kombeve për vetëvendosje”.

Berisha, gjatë vizitës në Vatikan, i ka bërë ftesë Atit të Shenjtë, Papa Bnediktit të XVI, që ta vizitojë Kosovën.
Kryeparlamentari Berisha u kthye nga vizita zyrtare në Vatikan