Lajmet e fundit
Komisioni Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar priti një delegacion nga Lituania
, 09.03.2007
Anëtarët e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Euro-Atlantik, kanë pritur sot një delegacion nga Lituania, të kryesuar nga europarlamentari, Kestuitis Jankauskas. Nënkryetari i komisionit, Bajram Rexhepi fillimisht i ka njoftuar mysafirët nga Lituania me punën e Kuvendit të Kosovës dhe sidomos me aktivitetet e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Euroatlantik, i cili, në mungesë të Ministrisë së Jashtme, merr rol shtesë në kontakte me jashtë, ka spikatur Rexhepi. Ai pastaj ka folur edhe për procesin për statusin e Kosovës, duke e vlerësuar Grupin Negociator të Kosovës mjaft gjeneroz, për sa i përket garantimit të drejtave të minoriteteve, si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe religjioze të tyre.
Rexhepi, ndërkaq, është shprehur optimist se do të përfundoj me sukses çështja e statusit të Kosovës dhe në këtë vështrim ka kërkuar nga Lituania që ta ndihmojë Rezolutën për Kosovën dhe ta mbështesë pavarësinë e vendit tonë.
Europarlamentari lituanez, Kestuitis Jankauskas, i cili shoqërohej nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme dhe të Ministrisë së Brendshme të Lituanisë, është shprehur shumë i kënaqur që e viziton Kosovën dhe ka shtuar se vendi i tij, si anëtar i BE-së dhe NATO-s, është shumë i interesuar ta ndihmojë Kosovën. Në këtë dritë ai i ka dhënë mbështetje presidentit Ahtisari dhe ekipit të tij, jo vetëm për dokumentin, por për gjithë procesin negociator. Jankauskas pastaj ka pohuar se vendet e BE-së mbështesin qasjen evropiane të Kosovës, ndërkaq ka sugjeruar që populli i Kosovës ta shohë me optimizëm ardhmërinë dhe sikurse ka vepruar edhe populli lituanez, të kaluarën t’ua lë historianëve. Ai, ndërkaq, është interesuar nëse udhëheqja e Kosovës ka ndonjë plan rezervë në rast se, për çfarëdo arsye, në KS të OKB-së bllokohet Rezoluta për Kosovën.
Nënkryetari i komisionit Rexhepi, por edhe anëtarët e tjerë të tij, Xhezair Murat, Nexhat Daci, Alush Gashi dhe Teuta Sahatqija, kanë shprehur përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për pavarësinë e vendit. Ata kanë shprehur dëshirën që të kalojë pa probleme Rezoluta e re për Kosovën në KS të OKB-së, ndryshe kanë pohuara ata, Kuvendi do ta shpallë pavarësinë e vendit, veprim ky i cili do të pasohet me njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.