Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 12.03.2007
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur të shpallë konkurs për simbolet shtetërore të Kosovës (flamurin dhe stemën), si dhe ka përcaktuar kushtet e konkursit. Çështja është diskutuar gjerësisht, si për vendimin që duhej marrë, në mungesë të Ligjit për simbolet shtetërore, si për përbërjen e Komisionit vlerësues të punimeve që konkurrojnë në këtë konkurs.
Kryesia është pajtuar që të merkuren, më 14 mars, Grupi Negociator i Kosovës të raportojë në Kuvend për përfundimin e bisedimeve për statusin e Kosovës.
Në seancën e së premtes, ndërkaq, do të raportojë kryesuesi i ART-së, Anton Berisha, lidhur me përzgjedhjen e operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovës.
Në po këtë seancë do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për vendbanim dhe vendqëndrim dhe ai për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për planifikimin hapësinor. Deputetët, ndërkaq, do të kenë rastin të shqyrtojnë edhe propozimvendimin e Qeverisë së Kosovës, për emërimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtim të Ankesave, rekomandimin për emërimin e gjyqtarëve, si dhe Propozimprogramin e punës së Kuvendit për vitin 2007 dhe alendarin vjetor të aktiviteteve.
Për shkak se Kuvendi nuk ka marrë raport zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme për ngjarjet e 10 shkurtit 2007 në Prishtinë, shqyrtimi i kësaj çështje shtyhet për ndonjë seancë tjetër.
Kryesia po në këtë mbledhje ka shqyrtuar kërkesën e kompanisë “Mega”, punëkryrës i objektit të Qendrës Administrative-protokollare në Gërmi, për plotësimin e kushteve të kontratës. Punëkryerësi nuk është pajtuar me vlerësimet e ekspertizës se ka marrë mbi një milion euro më shumë se sa vlera e punëve të kryera në QAP dhe kundërshton vazhdimin e punimeve pa iu bërë pagesa shtesë. Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, janë pajtuar se lidhur me këtë çështje duhet përgatitur një raport për seancë plenare dhe rekomandimet për zgjidhjen e problemit nëpërmjet procedurës gjyqësore.