Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u takua me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker

, 12.03.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u takua sot me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker.

Në këtë takim u bisedua për procesin nëpër të cilin po kalon Kosova, me theks të veçantë në përfundimin e negociatave të Vjenës, dhe për punët që e presin Kosovën, Grupin e Unitetit, Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera, si dhe partitë politike në periudhën e ardhshme, deri në përcaktimin e statusit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha e informoi kryeadministratorin Ryker për takimin e fundit të grupeve negociatore në Vjenë dhe bashkërisht u çmua se është punuar mjaft për të arritur deri në këtë fazë të procesit për Kosovën.

Në takim u bisedua edhe për ligjet prioritare që duhet t’i aprovojë Kuvendi i Kosovës, obligime këto që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, ndërsa kryeparlamentari Berisha e siguroi kryeadministratorin Ryker se në këtë aspekt nuk do të ketë asnjë ngecje.

Kryeparlamentari Berisha gjithashtu e informoi shefin e UNMIK-ut me vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të shpallet konkursi kombëtar për flamur dhe për stemë të Kosovës, ndërsa më vonë komisioni vlerësues do të bëjë përzgjedhjen më të mirë ideore për flamur dhe për stemë, për aprovimin e të cilave do të vendosin deputetët e Kuvendit të Kosovës. Shefi i UNMIK-ut mirëpriti këtë iniciativë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha e informoi kryeadministratorin Ryker edhe për disa vizita që ka pasur e që ka ndërmend t’ i bëjë këto ditë, ndër të cilat përmendi vizitën e realizuar te Papa Benedikti XVI, pastaj vizitën që do ta bëjë të martën në Parlamentin Evropian, si dhe vizitën pas disa ditësh në Bundestagun Gjerman.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u takua me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker