Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha udhëtoi për në Strasburg
, 12.03.2007
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, udhëtoi sot për në Strasburg, ku do të ketë takim me kryetarin e Parlamentit Evropian, Hans-Gert Poettering.
Në fokus të takimit do të jetë Rezoluta për Kosovën, e cila tash një kohë është duke u përgatitur nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, por do të bisedohet edhe për çështje të tjera lidhur me procesin e statusit të Kosovës, rolin dhe ndihmesën që mund të japë Parlamenti i Evropës në këtë fazë nëpër të cilën po kalon Kosova, si dhe në fazën e passtatusit. Temë bisede në këtë takim do të jetë edhe bashkëpunimi i Kuvendit të Kosovës me Parlamentin Evropian.
Lidhur me këto çështje, kryeparlamentari Berisha do të bisedojë gjatë ditës së martë edhe me disa eurodeputetë, përkatësisht figura kyçe nga radhët e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, si: Joost Lagendijk, Doris Pack, Bernd Poselt, Gisela Kalenbach, Hannes Svoboda, Shandor Tabajdi, etj.