Lajmet e fundit

Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, ka vizituar PTK-në

, 12.03.2007




Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, të cilin e ka udhëhequr z. Ibush Jonuzi, kryetar i Komisionit, sot e ka vizituar PTK-në.

Gjatë kësaj vizite, anëtarët e Komisionit, në lokalet e drejtorisë së PTK-së, janë takuar me drejtorin gjeneral të PTK-së, z. Etrur Rrustemaj, si dhe me bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Në takimin e përmendur, duke u informuar me punën e gjithmbarshme të PTK-së, drejtori Rrustemaj ka theksuar se që nga dt. 1 prill i vitit 2006, personeli vendor, nga personeli ndërkombëtar, i ka marrë të gjitha ingerencat lidhur me menaxhimin në PTK. Në vazhdim të këtij takimi është thënë se deri në fund të vitit 2006, në Kosovë, kanë qenë të mbuluar gjithsejtë 98.000 konsumatorë me rrjetin e telefonisë fikse, ndërsa deri në fund të këtij viti pritet që ky rrjet të zgjerohet dhe, sipas para llogaritjeve, gjerë në fund të vitit 2007 duhet të jenë afro 200.000 konsumatorë – shfrytëzues të këtij rrjeti. Sa i përket telefonisë mobile është thënë se me rrjetin Vala 900, është i mbuluar territori i Kosovës për afro 89%, dhe se në një kohë sa më të afërt pritet që territori i Kosovës të jetë i mbuluar në tërësi me këtë rrjet. Deri në fund të vitit 2006 në Kosovë, Vala 900, kishte afro 630 mijë konsumatorë – shfrytëzues ndërsa, deri në fund të këtij viti, pritet rritja e këtij numri. Gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, në këtë fushë kishte orientime si në lirimin e çmimit të impulseve, po ashtu edhe në disa shërbime të tjera në këtë veprimtari.

Duke folur mbi problemet me të cilat ballafaqohet PTK-ja, në mbledhjen e përmendur është thënë se ata e kanë një problem mjaft të madh edhe me operatorët ilegal, të cilët pa asnjë problem operojnë në disa hapësira të Kosovës (nga gjithsejtë 63 frekuenca në Kosovë, 47 prej tyre janë ilegale). Këta operatorë deri më tani, nga ana e ART-së, nuk janë sanksionuar. Nga problemet tjera duhet theksuar se edhe Ligji mbi Prokurimet publike, në disa segmente, paraqet mjaft vështirësi në punën e rregullt të PTK-së, si dhe problemi me strukturat komunale në sferën e instalimit të antenave bazë për telefoninë mobile.

Duke folur për planet për të ardhmen, drejtori gjeneral Rrustemaj, ka theksuar që krahas zgjerimit dhe modernizimit të telefonisë fikse dhe mobile, PTK ka për qëllim që në një kohë sa më të afërt të aktivizojë edhe Post - Bankën, e cila do të jetë në funksion të ofrimit të shërbimeve për qytetarët në Kosovë, para se gjithash në pagesën e të gjitha llojeve të pensioneve si dhe të pagesave tjera në tërë territorin e Kosovës.
Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, ka vizituar PTK-në