Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Komisionit të Ekonomisë, Tregtisë, Industrisë, Energjetikës, Transportit dhe Telekomunikacioneve të Kuvendit të Kosovës

, 13.03.2007




Si dhe vitin e shkuar, edhe në vitin 2007, ndër punët më prioritare të Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacioneve janë rregullimi i infrastrukturës rrugore në Kosovë. Kësisoj, nga buxheti total i Ministrisë, 85% të mjeteve janë ndarë për infrastrukturën rrugore, para së gjithash për rrugët magjistrale dhe rajonale. Në vitin 2007 në kuadër të kësaj Ministrie janë përfshirë gjithsej 24 projekte kapitale nga kjo sferë. Këto janë vetëm disa prej konstatimeve nga mbledhja e rregullt e Komisionit të Ekonomisë, Tregtisë, Industrisë, Energjetikës, transportit dhe Telekomunikacioneve të Kosovës që e kryesoi z. Ibush Jonuzi, kryetari i Komisionit. E vetmja pikë e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje ishte njohja me situatën në Ministrinë e Transportit, të Postës dhe të Telekomunikacioneve, si dhe njohja me projektet zhvillimore të kësaj ministrie në Transportin hekurudhor, në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, në PTK dhe në TRA.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, ishin të pranishëm edhe ministri i Transportit, z. Qemajl Ahmeti me këshilltarët e vet dhe me zëvendësministrin e Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacioneve, z. Blerim Baruti.

Në mbledhjen e përmendur, përveç tjerash, u tha se në vitin 2007 janë ndarë rreth 24.000.000€ për realizimin e gjithsej 24 projekteve kapitale në kuadër infrastrukturës rrugore. Nga gjithsej 24 projekte, më i madhi dhe më i rëndësishmi është padyshim projekti për autostradën Merdar - Durrës. Përveç aktiviteteve lidhur me këtë autostradë, Ministria do të angazhohet edhe për zgjerimin dhe sanimin e rrugëve që shpijnë nga Prishtina deri në Han të Elezit dhe nga Prishtina deri në Pejë.

Në këtë mbledhje të Komisionit, duke folur për projektet zhvillimore të kësaj ministrie në kuadër të Transportit Hekurudhor, të Aeroportit ndërkombëtar, të PTK-së dhe ART-së, ministri i Transportit, i Postës dhe i Telekomunikacioneve, Ahmeti theksoi se në kuadër të projekteve zhvillimore të kësaj ministrie, para së gjithash për shkak të revitalizimit të Kombinatit “Ferronikeli”, do të sanohet dhe zhvillohet edhe komunikacioni hekurudhor , aq sa kjo do të jetë e mundshme. Sa i përket Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, ai tani për tani nuk do të jepet me koncesion, nga se Qeveria e Kosovës ende nuk e ka marrë një vendim të tillë. Me hyrjen në treg të operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë, deri diku do të ndërpritet monopoli i PTK-së në këtë sferë, kështu që tani e tutje shfrytëzuesit e shërbimeve të telefonisë mobile në Kosovë do të kenë kushte shumë më të volitshme, përkatësisht shërbime më të lira. Duke bërë fjalë për ART-në, ministri Ahmeti theksoi se kjo Ministri ka më së shumti probleme pikërisht me ART-në, pothuajse në të gjitha sferat, para së gjithash për shkak të paqartësive në disa prej neneve të Ligjit mbi telekomunikacionet dhe të Ligjit mbi ART-në.
Nga mbledhja e rregullt e Komisionit të Ekonomisë, Tregtisë, Industrisë, Energjetikës, Transportit dhe Telekomunikacioneve të Kuvendit të Kosovës