Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 16.03.2007
Në seancën e sotme plenare, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, kryeministri Çeku dhe ministrat e kabinetit të tij u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për çështje që kanë të bëjnë me punën e Qeverisë, kurse më pastaj është proceduar shqyrtimin e projektligjeve.
Janë shqyrtuar për herë të parë Projektligji për vendbanim dhe ai për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për planifikimin hapësinor.
Megjithëse ishte pritur me interesim të madh nga opinioni shtrimi në Kuvend i mënyrës së përzgjedhjes së operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë, kryesuesi i ART-së, Anton Berisha, nuk kishte ardhur të raportojë në Kuvendin e Kosovës. Deputetët nuk kanë pranuar që raportin e kryesuesit të ART-së ta paraqesë një bashkëpunëtor i tij. Parashtruesi i kërkesës, në emër të një grupi deputetëve, Demir Limaj, por edhe disa shefa të grupeve parlamentare kanë shprehur tone kritike për punën e ART-së, lidhur me përzgjedhjen e operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë, madje janë shprehur edhe kërkesa që Anton berisha të shkarkohet nga detyre dhe të emërohet Bordi ri i ART-së. Çështja ka mbetur të shtrohet për shqyrtim edhe një herë në Kuvend, në të enjten e ardhshme.
Deputetët me shumicë votash kanë mbështetur propozimvendimin e Qeverisë për emërimin e gjashtë anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtim të Ankesave, kurse e kanë refuzuar rekomandimin për emërimin e gjyqtarëve.
Pas shqyrtimit gjithpërfëshirës është miratuar, ndërkaq, propozimprogrami i punës së Kuvendit për vitin 2007, si dhe kalendari vjetor i aktiviteteve.