Lajmet e fundit

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës filloi vizitën dyditëshe në Bundestagun Gjerman

, 19.03.2007




Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari Kolë Berisha, në përbërje të të cilit janë edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit: Sabri Hamiti, Xhavit Haliti e Gazmend Muhaxheri, filloi sot vizitën dyditëshe në Bundestagun e Gjermanisë, vizitë kjo e organizuar nga projekti “Mbështetje e mëtejme për Kuvendin e Kosovës”, gjatë së cilës delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të ketë takime me zyrtarë të lartë të Bundestagut Gjerman dhe me udhëheqës e drejtues të programeve e të departamenteve të ndryshme, për të parë përvojat e punës së Bundestagut Gjerman, për tu njoftuar me rolin dhe funksionimin e grupeve parlamentare, të Presidiumit e të Këshillit të Pleqësisë së Bundestagut Gjerman, për mënyrën e aprovimit të ligjeve, për marrëdhëniet me publikun, për metodat e punës së komisioneve, për marrëdhëniet ndërkombëtare në Bundestagun Gjerman e tj.

Pas mikpritjes zyrtare që iu bë sot në mëngjes delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Bundestagun Gjerman, delegacioni i parlamentarëve të Kosovës pati një takim me nënkryetarin e Bundestagut, zotëri Volfgang Thierse.

Në takimin me nënkryetarin e Bundestagut Gjerman, delegacioni i Kuvendit të Kosovës bisedoi për bashkëpunimin ndërparlamentar ndërmjet Bundestagut dhe Kuvendit të Kosovës, por u bisedua edhe për çështjen e statusit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha e falënderoi z. Volfgang Thierse, për ndihmën e madhe që ka dhënë dhe po jep Bundestagu Kuvendit të Kosovës, në kuadër të Konzorciumit të katër parlamenteve që janë të pranishme në Kuvendin e Kosovës me programin “Mbështetje e mëtejme për Kuvendin e Kosovës”.

Kryeparlamentari Berisha e njoftoi nikoqirin gjerman për punën e Kuvendit të Kosovës dhe për misionin kryesor që ka Kuvendi për bërjen e Kosovës me ligje funksionale dhe efikase dhe të mbështetura në standarde evropiane dhe ndërkombëtare.

Zotëri Berisha i tha nënkryetarit të Bundestagut Gjerman, zotëri Thierse se e çmon shumë ndihmën që ka dhënë dhe po jap Gjermania, pra edhe Bundestagu, për Kosovën dhe kërkoi që Gjermania si faktor kyç në Unionin Evropian, të përkrah pavarësinë e Kosovës, sepse Kosova, shtet i pavarur, nuk e dëmton askënd, përkundrazi është faktor stabiliteti në rajon. Ne jemi të gatshëm të trokasim në dyert e Bashkësisë Evropiane, prandaj me fuqinë që keni si shtet i fortë, si Gjermani të ndikoni që sa më shpejt të njihet pavarësia e Kosovës, i ka thënë zotëri Berisha nikoqirit gjerman.

Nënkryetari i Bundestagut Gjerman, zotëri Volfgang Thierse, tha se Bundestagu dhe Qeveria Gjermane përkrahin Dokumentin e Ahtisarit, se veprimet që do të ndërmerren në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të jenë pozitive, por pavarësia nuk do të thotë zgjidhje e problemeve brenda nate. Në Kosovë do të mbeten edhe shumë punë për tu bërë në të ardhmen, tha ai.

Të dy bashkëbiseduesit, por edhe anëtarët e Kryesisë të Kuvendit të Kosovës që u inkuadruan në bisedë, u pajtuan se duhet vazhduar bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe parlamenteve të vendeve evropiane, se projekti evropian për ndihmë Kuvendit të Kosovës është shumë i suksesshëm dhe se duhet vazhduar më tej, kurse Kuvendi i Kosovës do t’i shfrytëzojë përvojat më të mira demokratike të vendeve të Evropës dhe të botës.

Delegacioni i parlamentarëve kosovarë u takua po sot edhe me sekretarin e përgjithshëm të Bundestagut Gjerman, zotëri Hans-Joachim Stelzl, ndërsa nesër priten të realizohen edhe takime të tjera, në kuadër të kësaj vizite.