Lajmet e fundit
Dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë
, 21.03.2007
Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naim Maloku, kryetar i Komisionit, organizoi sot një dëgjim publik me Zyrën për Siguri Publike pranë Kryeministrisë , përkitazi me mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë, që bëhet në bashkëpunim me OSBE-në dhe KIPRED-in .Në këtë dëgjim publik merrnin pjesë edhe përfaqësues të UNMIK-ut dhe të KFOR-it.
Para anëtarëve të Komisionit për Siguri të Kuvendit të Kosovës u dha një pasqyrë shumë shkoqitëse lidhur me veprimtarinë e gjithmbarshme të Zyrës për Siguri Publike pranë Kryeministrisë nga ana e drejtorit të kësaj zyre, z. Enver Oruqaj dhe stafit të tij.
Në këtë vështrim u tha se Zyra Publike për Siguri e Kryeministrisë kaloi nëpër tri faza të rëndësishme, siç janë themelimi i zyrës dhe zgjedhja e kuadrit, themelimi i Qendrës së Situatave dhe bashkëpjesëmarrja në grupet punuese për siguri dhe identifikim të faktorëve që ndikojnë në sigurinë publike.
Gjatë debatit vëmendja e diskutuesve u përqendrua sidomos në funksionalizimin e mirëfilltë të Qendrës së Situatave, e cila është bosht themelor i veprimtarisë së kësaj zyre.
Duke marrë për bazë këtë komponent, folësit u angazhuan që Qeveria e Kosovës me gjithë kufizimet financiare, që vijnë në formë limitesh edhe nga FMN-ja, të gjejë mjete financiare për kompletimin me staf e pajisje të nevojshme të kësaj Qendre. Në këtë mënyrë kjo Qendër do të kryejë ashtu si duhet funksionin e rëndësishëm shoqëror që ka .
Nga udhëheqja e ZSP-së u vlerësua se gjendja e sigurisë në Kosovë është e kënaqshme, por ajo monitorohet gjithnjë duke ditur se jetojmë në kohën e përcaktimit të statusit të Kosovës, i cili mund të ketë reflektime në gjendjen e gjithmbarshme në Kosovë.
Duke folur për perspektivën e ZSP-së u tha se ajo në të ardhmen do të veprojë si sekretariat në kuadër të Këshillit për Siguri të Kosovës.