Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 22.03.2007
Në seancën e sotme plenare, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, kryesuesi i ART-së, Anton Berisha, raportoi për mënyrën e përzgjedhjes së operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë, duke shkoqitur gjithë procedurën e tenderimit dhemekanizmat profesional që janë marrë me çështjen. Ai e ka quajtur krejtësisht të rregullt dhe transparente gjithë procedurën e tenderimit të operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë.
Kryeministri Çeku, ndërkaq, ka sqaruar për rolin e Qeverisë në procedurën e tenderimit duke theksuar përfitimin që ka ekonomia e Kosovës, por edhe qytetarët nga ky transaksion.
Pastaj deputetët kanë debatuar gjerësisht për mënyrën e tenderimti të operatorit të dytë të telefonisë mobile. Derisa shefat e grupeve parlamentare dhe deputetë të subjekteve në pozitë e kanë vlerësuar të rregullt këtë tender, kurse deputetë të shumtë nga radhët e opozitës tenderin e kanë vlerësuar të parregullt dhe të dëmshëm për Kosovën. Në fund nuk ka kaluar propozimi i deputetit Demir Limaj (i bërë në emër të një grupi deputetësh) për hetimin nga Auditori Gjeneral të tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile.
Deputetët, po në këtë seancë e kanë shqyrtuar informatën e Qeverisë për ngjarjet e 10 shkurtit 2007.
Kërkesën për këtë temë, në emër të 24 deputetëve, e ka bërë Emrush Xhemajli, kurse pastaj informatën e Qeverisë për ngjarjet e 10 shkurtit e ka paraqitur Ministri i Brendshëm, Blerim Kuqi. Ai ka shprehur keqardhje për humbjen e jetëve të dy protestuesve, por ka theksuar gjithashtu se protesta e lëvizjes Vetëvendosje nuk ishte paraqitur në Polici dhe kishte eskaluar e dhunshme, kurse policët kishin marrë urdhër që të mbronin pronën e Qeverisë.
Ndër rekomandimet Ministrit Kuqi ka përmendur kompetencat shtesë të SHPK-së, trajnimet profesionale të policëve dhe inkurajimin e dialogut me grupet e pakënaqura me propozimin për statusin e Kosovës.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Naim Maloku, duke folur për angazhimin e këtij komisioni për tu informuar drejtë për ngjarjet e 10 shkurtit, e ka gjykuar përdorimin e plumbave të gomës kundër demonstruesve, të shënjestëruar në pjesë vitale të trupit.
Deputetët e kanë gjykuar dhunën e përdorur ndaj demonstruesve, kurse shumë prej tyre kanë shprehur pakënaqësinë pse ende nuk është ndriçuar vrasja e dy të rinjve në protestë.
Dsa nga deputetët kanë kërkuar që të lirohet nga burgu lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe që në Kosovë të mos ketë të burgosur për shkak të bindjeve politike.