Lajmet e fundit

Badinter dhe Montbrial janë takuar edhe me anëtarët e Kryesisë dhe me kryetarët e grupeve dhe të komisioneve parlamentare

, 26.03.2007




Konstitucionalisti i njohur francez, Robert Badinter dhe akademiku Tieri Montbrial, të shoqëruar nga shefi i Zyrës franceze në Prishtinë, Tiery Reinard janë pritur sot në një takim të përbashkët nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, si dhe kryetarët e grupeve parlamentare dhe të komisioneve parlamentare, në të cilin kanë këmbyer mendime për Pakon e Ahtisarit dhe për statusin politik të Kosovës.

Pasi i kanë vlerësuar meritat e Komisionit të Badinterit për shpërbërjen e Jugosllavisë, parlamentarët kosovarë ia kanë përkujtuar konstitucionalistit francez se atë botë ishte anashkaluar çështja e Kosovës, pasojë e së cilës qe lufta në Kosovë, që shkaktoi një krizën humanitare intervenimin e forcave të NATO-s ndaj forcave serbe, duke krijuar një realitet të ri në Kosovë.

Anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, i cili e ka drejtuar takimin, e ka pyetur troç z. Bandinter, nëse ai e përkrah Pakon e Ahtisarit dhe pavarësinë e Kosovës.

“Është tepër vonë për këshilla dhe sugjerime juridike dhe është herët për konstatime politike”, ka thënë Badinter. “Ju jeni të zotët e Kosovës, e keni pranuar Pakon e Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe vetëm mund të uroj që ajo edhe të pranohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, ka thënë juristi i njohur francez. Akademiku, Tieri Montbrial, ndërkaq, ka theksuar se vendimet në KS të OKB-së, më shumë se nga parimi i së drejtës varen nga raporti i forcave të faktorëve relevant ndërkombëtar. “ E ardhmja e Kosovës gjithsesi do të jetë anëtarësimi në Uninin Evropian, por jo që nesër”, ka thënë Badinter.

Parlamentarët e Kosovës u kanë bërë pyetje të shumta mysafirëve francezë, nga përgjigjet e të cilëve nuk janë ndarë shumë të kënaqur, kurse Sabri Hamiti e ka përfunduar takimin me konstatimin: “Ju vetë thatë se flisni si intelektual dhe analistë, ndërkaq, intelektualët, përfshirë edhe mua, janë skeptikë, prandaj duam më shumë t’i besojmë qëndrimit të shtetit franzez për statusin e Kosovës, të shfaqur kohëve të fundit”
Badinter dhe Montbrial janë takuar edhe me anëtarët e Kryesisë dhe me kryetarët e grupeve dhe të komisioneve parlamentare