Lajmet e fundit
U nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Kuvendi i Kosovës, Arkivit të Kosovës dhe Projektit të UE-së për themelimin e një njësie moderne dhe funksionale të Arkivit të Kuvendit të Kosovës
, 27.03.2007
Kuvendi i Kosovës, Arkivi i Kosovës dhe Projekti i UE-së “Mbështetje e Mëtejme për Kuvendin e Kosovës” nënshkruan sot në mënyrë solemne Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet këtyre institucioneve, që ka të bëjë me projektin e përbashkët për themelimin e një njësie moderne dhe funksionale të Arkivit të Kuvendit të Kosovës. Projektin e nënshkruan z. Kolë Berisha, Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe dr. Jusuf Osmani, drejtor i Arkivit të Kosovës dhe udhëheqësi i projektit “Mbështetje e Mëtejme për Kuvendin e Kosovës”, Hugues Courtivron. Në solemnitet merrnin pjesë edhe përfaqësues nga OSBE-ja, Anglia dhe Honkongu.
Në fillim të këtij solemniteti foli drejtori i Arkivit të Kosovës, Jusuf Osmani, i cili pasi përshëndeti të gjitha subjektet të cilat ndihmuan realizimin e këtij projekti tha:”Punëtorët arkivorë të Kosovës zotohen se do t’i kryejnë të gjitha detyrat që ia parashtron shoqëria në realizimin e objektivave përkitazi me funksionimin e shërbimit arkivorë në Kosovë dhe në mbrojtjen dhe prezantimin e dokumenteve të shkruara. Këto detyra po i realizojmë në mbështetje të plotë të Zyrës së Kryeministrisë, si dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me shumë arkiva të botës.
Veprimtarinë e vet Arkivi po e zgjeron edhe në menaxhimin arkivorë në institucionet tona ku krijohen dokumentet e shkruara në letër, tani edhe në formë elektronike, aty ku krijohet historia jonë , duke krijuar arkiva të veçanta, si pjesë e sistemit tonë integral arkivorë, siç është rasti konkret me Arkivin e Kuvendit të Kosovës.
Ne arkivistët, do të angazhohemi që jo vetëm Kuvendit të Kosovës, por edhe të gjitha institucioneve tona do t’iu ndihmojmë në organizim dhe funksionim sa më bashkëkohor të shërbimit të arkivorë.”
Kryeparlamentari Berisha në fjalën e tij theksoi:” Këto ditë, derisa bisedonim për finalizimin e këtij projekti, një thënie e Federik Garsia Lorkës, se, “Në mendje ruaj një arkiv të tërë kujtimesh fëmijërore për kuvendimet me njerëzit”, sikur më vuri para një pyetjeje: prej nga kjo ngjashmëri e mendimit të Lorkës, me një pjesë të realitetit tonë?
Dhe, përfundimi: Në mungesë të shkrimit dhe të institucioneve tona, një pjesë e madhe e të kaluarës sonë, e historisë sonë, e kulturës sonë, e dëshmive tona dokumentare, për fat të keq, u ruajt, për aq sa mund të ruhej, vetëm në mbamendjen e paraardhësve tanë, vetëm përmes bisedave që zhvilloheshin nëpër kullat tona, nëpër odat tona dhe përcilleshin brez pas brezi, deri te ne – pasardhësit e tyre të vonuar.
Mendova: megjithatë, më mirë vonë, se kurrë.
Kohë më parë, ishim jo vetëm dëshmitarë, por edhe protagonistë të një akti solemn dhe shumë të rëndësishëm kulturor: Kuvendi i Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Universitare e Kosovës, të mbështetur nga Projekti “Mbështetje për Kuvendin e Kosovës” të Konsorciumit të katër parlamenteve të Evropës (Parlamenti Francez, Gjerman, Slloven dhe ai Belg) nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit, i cili shënoi futjen e librit edhe në Kuvend.
Ndërkaq, sot, jemi tubuar këtu, në mjediset e këtij institucioni – Arkivit të Kosovës – që unë do ta quaja Mbamendje institucionale e historisë, për një akt, po ashtu solemn dhe po aq të rëndësishëm kulturor sikurse i pari, nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës, në njërën anë, dhe të Arkivit të Kosovës, në anën tjetër.
Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, po fillojmë sot edhe zyrtarisht realizimin e një projekti, i cili, kur të finalizohet, do të mundësojë që Kuvendi i Kosovës të ketë një Arkiv modern, të pajisur mirë me dokumente zyrtare që ai i miraton, por edhe me librin që do t’ia ofrojë deputetit, me dokumentin për hulumtime shkencore, të administruar mirë nga punëtorët e Kuvendit, të përgatitur dhe të aftë, njësoj si kolegët e tyre të kuvendeve me përvojë të gjatë të pajisjes, të arkivimit dhe të ruajtjes së lëndës arkivore. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me Arkivin e Kosovës dhe me mbështetjen nga Projekti për mbështetje Kuvendit.
Më këtë rast, unë nuk dua të lëshohem në detaje të këtij projekti që, me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, sot po e zyrtarizojmë. Por, dua të shpreh bindjen time se, në këtë mënyrë, po bëhet edhe një hap shumë i rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës.
Ata që me vëmendje e ndjekin punën e Kuvendit të Kosovës, me siguri se kanë mundur të vërejnë përpjekjet tona për një varg projektesh të tjera të natyrave të ndryshme, por që e avancojnë, e rrisin efikasitetin dhe e modernizojnë procesin e punës, kurse Kuvendin e ofrojnë më afër standardeve të kuvendeve të tjera në rajon e më gjerë.
Megjithatë, ato projekte ende nuk kemi mundur t’i finalizojmë për faktin se, vazhdimisht, para nesh na kanë dalë çështje të natyrave më urgjente.
Por, ne nuk do të ndalemi. Do të ecim drejt modernizimit të të gjitha segmenteve të jetës dhe të punës së Kuvendit, ndonëse të vetëdijshëm se konsolidimi dhe strukturimi modern i institucioneve tona është sfidë me të cilën po ballafaqohemi e do të ballafaqohemi në vazhdimësi.
Dhe, në fund, më lejoni që, në përmbyllje të kësaj fjale time të shkurtër, të shpreh optimizmin tim racional se, prej sot, edhe thënien e Lorkës do ta vëmë në arkiv, për t’ua përcjellë atë edhe brezave që vijnë pas nesh. Atyre që arkivat e kokave tona do t’i bartin në institucionet tona adekuate”, u shpreh Berisha.
Në emër të projektit të UE-së “Mbështetje e Mëtejme për Kuvendin e Kosovës” të pranishmit i përshëndeti Hugues Courtivron. Ai theksoi se ky projekt po realizohet në kuadër të ndihmës së konzorciumit të katër parlamenteve evropiane : Francës, Gjermanisë, Belgjikës dhe Sllovenisë. Ndërkaq , tërë punën në realizimin praktik të projektit do ta bëjnë punëtorët civilë të Kuvendit të Kosovës dhe të Arkivit të Kosovës. Është ky pra edhe një shembull i mirë i ndërtimit të shtetit të Kosovës, theksoi ai.
Vlen të theksohet se Memorandumi do t’ i sigurojë Kuvendit trajnime konkrete dhe profesionale për njësinë e arkivit. Memorandumi do të mundësojë zbatimin e ligjit për lëndët arkivore dhe arkivat, si dhe aktet nënligjore të dala nga ky ligj dhe ato për menaxhim zyrtar dhe arkivor. Do të ndihmohet kështu procesi i regjistrimit dhe i ruajtjes së dokumenteve në Parlamentin e Kosovës.
Ky partneritet i ri në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Arkivit të Kosovës është një shembull i mirë i dalë nga një bashkëpunim i shkëlqyer në mes të dy institucioneve të Kosovës, të cilat punojnë drejt ndërtimit të një shërbimi publik të qëndrueshëm dhe profesional.
Shërbimi i Arkivit është njësi me rëndësi në kuadër të veprimtarisë të Parlamentit: Ruajtja e procesit legjislativ është një dëshmi afatgjate dhe autentike e të kaluarës dhe e zhvillimit të Parlamentit.