Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport
, 27.03.2007
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit, mbajti sot një dëgjim publik lidhur me formimin e Këshillit tё Trashёgimisё Kulturore, në mbështetje të Ligjit për Trashёgiminё Kulturore. Përkitazi me këtë , Ministria e Kulturës kishte bërë një propozim, i cili në mënyrë shkoqitëse përmbante çështjen e themelimit, përbërjes së këshillit, kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të tij , pastaj rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit. Gjatë debatit u tha se ruajtja e trashëgimisë kulturore është prioritet i Kosovës, ashtu si edhe e përcakton Ligji. Ndërkaq, fushëveprimtaria e Këshillit, i cili promovon dhe mbron trashëgiminë kulturore , do të përcaktohet edhe me rregulloren e tij të punës , që do të bëhet pas themelimit të tij.
Sa i përket zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, u tha se ata duhet të jenë ekspertë të shquar të fushës përkatëse. Meqë detyrë e Këshillit do të jetë menaxhimi i çështjes së trashëgimisë kulturore, shihej më e udhës që ekspertët të mos vijnë nga radhët e atyre që kanë pozita vendimmarrëse në institucione . Në mbështetje të draftit dhe debatit të zhvilluar, Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport i mbetet të procedojë në Kuvend çështjen e formimit të Këshillit të trashëgimisë kulturore.