Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 27.03.2007
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca plenare të mbahet më 30 mars 2007 dhe ka miratuar rendin e ditës për këtë seancë.
Është paraparë që pas miratimit të rendit të ditës së seancës dhe miratimit të procesverbaleve të seancave plenare të mbajtura më 14, 16 dhe 22 mars 2007, të pasojë koha për pyetjet parlamentare, në të cilat kryeministri Çeku dhe ministrat e kabinetit të tij do të përgjigjen për punën e Qeverisë së Kosovës.
Në po këtë seancë do të paraqitet në interpelancë Ministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Haki Shatri, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar ORA.
Do të shqyrtohen për herë të dytë Projektligji për mbrojtjen nga zhurma dhe ai për Bletarinë.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe raportin e Komisionit për Gjyqësi, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese lidhur me Projektligjin për ditën e dëshmorëve. Rekomandimi sugjeron që ky projektligj t’i kthehet Qeverisë për rihartim, sepse është vlerësuar se nuk i plotëson kushtet t’i kalojë procedurat e parapara parlamentare.