Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion të Kuvendit të Kosovës

, 27.03.2007




Hulumtimet në minierën e Drazhnjes nuk është dashtë të bëhen nga kompania “Kosovo Resources LLC” për arsye se shumë vjet më parë hulumtimet në këtë minierë i kanë bërë ekspertet e kombinatit “Trepça” dhe për këtë ekziston dokumentacioni valid. Njëkohësisht këto hulumtime janë bërë pa u konsultuar me përfaqësuesit e kombinatit “Trepça” që sipas përfaqësuesve të kombinatit “Trepça”, ata janë pronarë të kësaj miniere. Për shkak se Ligji për miniera ende mungon dhe për shkak të mosdefinimit të qartë të disa dispozitave të tjera nga kjo fushë, Ministria e Energjetikës dhe e Minierave i ka suspenduar përkohësisht të gjitha kontratat nga kjo fushë. Këto janë vetëm disa konstatime nga mbledhja e rregullt e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion të Kuvendit të Kosovës. Mbledhjen e kryesoi Ibush Jonuzi, kryetar i Komisionit dhe mbledhja kishte vetëm një pikë të rendit të ditës: Shqyrtimi i gjendjes aktuale në Minierën e Drazhnjes pas dhënies së licencës kompanisë ” Kosovo Resources LLC” për të bërë hulumtime në këtë Minierë.

Në këtë mbledhje morën pjesë, përveç anëtarëve të Komisionit edhe zëvendësministri i Ministrisë së Energjetikës dhe Minierave, zotëri Agron Dida, përfaqësuesit nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerare si dhe përfaqësuesit e kombinatit “Trepça”.

Në mbledhjen e përmendur u theksua midis të tjerash se para se gjithash për shkak të sferave të interesit në këtë fushë ende shumë gjera nuk janë definuar qartë me ligj. Pasi që dihet se Kosova është e pasur me minerare, të cilat vetëm në minierën “Trepça” sipas llogarive arrijnë në 4.700.000 tonë para se gjithash plumb, ar dhe argjend, atëherë mund të kuptohet pse gërshetohen kaq shumë sfera të interesit në këtë fushë.

Në fund të mbledhjes së Komisionit të theksuar më sipër u mor vendim që të formohet një grup punues që do të merret me këtë problematikë dhe që për një javë të përgatis raport, i cili do t’i dërgohet këtij Komisioni për shqyrtim.
Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion të Kuvendit të Kosovës