Lajmet e fundit

Deklaratë për media e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha

, 27.03.2007




Në deklaratën e kryeparlamentarit Berisha, me këtë rast, thuhet:

Tani edhe zyrtarisht anëtarët e Këshillit të Sigurimit e kanë në dorë Propozimin e Presidentit Ahtisari, i cili bënë të qartë në rekomandimet e tij se e vetmja zgjidhje e realizueshme për Kosovën është pavarësia.

Që nga dita e djeshme Këshilli i Sigurimit, zyrtarisht e ka para vetës propozimin për pavarësi dhe argumentimin se kjo zgjidhje është edhe në interes të rajonit.

Kosova e ka pritur me entuziazëm këtë moment, i cili ka rëndësi të jashtëzakonshme . Kosova po pavarësohet.

Në emër të Kuvendit të Kosovës përshëndesim dhe falënderojmë z.Ahtisari për punën kolosale, dhe për qartësinë e projektit.

Përshëndesim edhe reagimin e shpejtë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki -Mun për mbështetjen dhënë planit të z.Ahtisari.

Pokështu përshendesim dhe gëzohemi shumë për reagimet e shpejta të përkrahjes që u bënë menjëherë gjatë ditës së djeshme nga SHBA-të, nga Bashkimi Evropian, nga Londra nga Selia e NATO-se,etj. Shpresojmë të dëgjojmë në vazhdim përkrahje edhe nga qendrat e tjera . Edhe ata që kanë hezituar deri sot, shpresojmë ta kuptojnë se Plani i z.Ahtisari është zgjidhje për të gjithë, është plan i stabilitetit, dhe si i tillë meriton përkrahjen e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.