Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media
, 27.03.2007
Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare e Komisionit, shqyrtoj sot Raportin vjetor të Këshillit të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2006.
Para të pranishmëve në emër të Këshillit të KPM-së disa sqarime më të hollësishme i dha kryetari i këtij Këshilli, z. Isuf Berisha. Ai foli gjerësisht për veprimtarinë e këtij Këshilli duke u ndalur në disa segmente më prioritare të punës së këtij institucioni. Në këtë vështirim Berisha përmendi angazhimin e këtij Këshilli për hartimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me definimin e politikave në fushën e veprimtarisë së KPM-së .
Gjatë debatit vëmendja e diskutuesve u përqendrua edhe në faktin se a mos është koha për të menduar për ndonjë ndryshim të ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave. U përmend edhe fakti se megjithëse ekziston ligji, aktet nënligjore janë më të hershme se sa vetë ligji.
Anëtarët e Komisionit zunë në gojë edhe shumë dukuri negative që e shoqërojnë fushën mediave, sidomos kur është fjala për përzierjet në frekuenca ndërmjet mediave elektronike.