Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të KMLDNJ-së
, 29.03.2007
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim me një delegacion të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, të përbërë nga Pajazit Nushi, Vehap Shita dhe Zejnullah Gruda. Me këtë rast kryeparlamentari Berisha vlerësoi lart punën e këtij institucioni , si në kohën e paraluftës , ashtu edhe pas luftës. KMLDNJ para lufte ishte një burim shumë i rëndësishëm i informatave , në mbështetje të të cilave i bëhej me dije botës se çfarë po ngjante në Kosovë.
Në vijim anëtarët e delegacionit e njoftuan kryeparlamentarin Berisha me veprimtarinë e gjithmbarshme të këtij Këshilli, si dhe me angazhimet aktuale të tij. Në këtë frymë ata njoftuan se aktualisht është duke u përgatitur një dokument , në të cilin evidentohen dëshmitë për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë. Këshilli punon edhe në një vistër projektesh të tjera. Mirëpo, një pengesë e madhe në punën e Këshillit është çështja financiare. Delegacioni theksoi se ndihet nevoja për një mbështetje më të madhe financiare, sepse ballafaqohen me shumë probleme. Ndër të tjera ky institucion nuk ka të zgjidhur as çështjen e lokalit. Në mungesë të mjeteve financiare disa botime të këtij Këshilli kanë mbetur në gjysmë. Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda, gjatë këtij takimi shtroi kërkesën që në Kushtetutën e Kosovës, në kapitullin për të drejtat e njeriut, të lihet vend edhe për të drejtat ekonomike, sociale e kulturore , për të mundësuar kështu zbatimin e traktateve ndërkombëtare, të cilat garantojnë këto të drejta.