Lajmet e fundit

DEKLARATË E KUVENDIT TË KOSOVËS

, 30.03.2007




DEKLARATË E KUVENDIT TË KOSOVËS

Kuvendi i Kosovës përshëndet miratimin e Rezolutës së Parlamentit Evropian, në të cilën thuhet se sovraniteti i mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare është zgjidhja më e mirë për Kosovën.

Rezoluta përkrah fuqishëm planin e z. Ahtisari.

Parlamenti Evropian, në këtë mënyrë, ka bërë veprimin e duhur në një moment krucial për procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës.

Vlera e kësaj Rezolute është e shumëfishtë.

Rezoluta është e rëndësishme për përmbajtjen e saj dhe ajo dëshmoi kurajën e Parlamentit Evropian që të kërkojë në mënyrë të qartë pavarësinë e Kosovës.

Rezoluta ka peshën e vet edhe për mënyrën se si u miratua, pra me shumicë dërrmuese të votave, duke dëshmuar kështu unitetin evropian, si zë i fuqishëm për finalizimin e procesit lidhur me statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Mbështetja e pavarësisë së Kosovës nga Parlamenti Evropian është hap i rëndësishëm i përshpejtimit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, dëshmi e përgjegjësisë së institucioneve të Unionit Evropian për Kosovën, por edhe impuls i ri për integrimin e Kosovës në Unionin Evropian.

Prishtinë, 30 mars 2007