Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 30.03.2007




Pasi deputetët në seancën e sotme plenare kanë miratuar procesverbalet e seancave plenare të mbajtura më 14, 16 dhe 22 mars 2007, kanë pasuar pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, të cilave u janë përgjigje ministrat: Agim Veliu, Ardian Gjini, Qemajl Ahmeti dhe Astrit Haraqija.

Sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë reformiste ORA, po sot është paraqitur në interpelancë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. Interpelanca kishte të bënte me mjetet e lejuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave për blerjen e veturës së blinduar për ish-kryeparlamentarin Daci, në vlerë prej 236 000 euro, të cilat sipas parashtruesit të kërkesës për interpelancë, ishin bartur nga një destinim tjetër.

Ministri Shatri në interpelancën e tij ka pohuar se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore dhe se është vepruar në bazë të dokumentacionit që i ishte ofruar sektorit të Thesarit të Ministrisë.

Deputetët nga radhë e partive qeverisëse gati anbllok e kanë mbështetur ministrin Shatri, kurse deputetët nga radhë e opozitës e kanë kritikuar për keqmenaxhim atë dhe ministrinë të cilën e udhëheq.

Në po këtë seancë deputetët kanë miratuar Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma dhe atë për Bletarinë.

Për shkak se Qeveria kishte tërhequr për ripunim Projektligjin për ditën e dëshmorëve deputetët nuk e kanë shqyrtuar raportin e Komisionit për Gjyqësi, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese lidhur me këtë projektligj.

Në seancën e sotme plenare deputetët kanë miratuar një deklaratë përshëndetëse për Rezolutën e UE-së, me të cilën mbështetet propozimi i Ahtisarit për statusin e Kosovës dhe theksohet sovraniteti i mbikëqyrur i Kosovës. Miratimi i Deklaratës është shoqëruar me duartrokitje frenetike të deputetëve.

Nga punimet e seancës plenare