Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti një grup këshilltarësh nga Kongresi Amerikan

, 02.04.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha ka pritur një delegacion me pjesëtarë të stafit profesional nga Senati dhe nga Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve. Delegacioni përbëhej nga : David Kilien, Majkëll Tilman, Jenifer Simon dhe Daglas Anderson , të cilët njëherësh përfaqësojnë edhe Partinë Demokratike edhe atë Republikane. Drejtuesi i delegacionit nga SHBA-të, David Kilien, theksoi rëndësinë dhe vëmendjen që është duke iu kushtuar çështjes së Kosovës edhe në Senat edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, aktivitete këto që kanë koinciduar edhe me përkrahjen e Planit të z.Ahtisari.

Kryeparlamentari Berisha ka falënderuar për këto angazhime duke shtuar se me një përkrahje e angazhim të tillë do të jetë me e lehtë të përmbyllet procesi i finalizimit të statusit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka prezantuar punën dhe momentet më të rëndësishme të aktivitetit në Kuvendin e Kosovës. Ai është shprehur me optimizëm se Kuvendi i Kosovës do të kryejë me sukses pjesën e vetë të punës lidhur me implementimin e Pakos së z. Ahtisari , përkatësisht miratimin e të gjitha atyre ligjeve që kanë rëndësi për implementimin e saj.

Kryeparlamentari Berisha është përgjigjur edhe në pyetjet e shtruara përkitazi me çështje të caktuara nga Pakoja e z. Ahtisari, përkatësisht perceptimin lidhur me këtë dokument nga Parlamenti dhe nga qytetarët e Kosovës. Delegacioni ka treguar interesim edhe për mundësitë dhe përgatitjet për bërjen e Kushtetutës së re të Kosovës, për përgatitjen e zgjedhjeve, pastaj për përfshirjen e komunitetit serb në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës. Kryeparlamentari Berisha ka shfaqur shpresën se miratimi i Planit të z.Ahtisari në Këshillin e Sigurimit do të ketë ndikim pozitiv për kthimin e komunitetit serb në jetën institucionale të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha priti një grup këshilltarësh nga Kongresi Amerikan