Lajmet e fundit

Dëgjim publik rreth vërejtjeve të AMPEK - ut lidhur me zbatimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media

, 03.04.2007




Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare e Komisionit, mbajti sot një dëgjim publik rreth vërejtjeve të Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK), lidhur me zbatimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) nr.02/L15 dhe Rregullores së UNMIK-ut 2005/34. Vërejtjet e AMPEK-ut, të prezantuara nga drejtoresha ekzekutive e tij, Ardita Zejnullahu, kishin të bëjnë posaçërisht me faktin se derisa transmetuesit tokësorë janë të obliguar t’ i u përmbahen rregullave ligjore në fuqi, operatorët kabllovik ushtrojnë pa asnjë problem veprimtarinë e tyre ilegale dhe në këtë mënyrë seriozisht rrezikohet konkurrenca e ndershme ndërmjet mediave. Në Kosovë veprojnë edhe transmetues pa licencë që mund të kenë edhe rol destruktiv, madje transmetuesit edhe pengojnë njëri- tjetrin. Këtë situatë e rëndon edhe fakti që nga ana e rregullatorit të Serbisë jepen edhe licenca me frekuenca të njëjta me transmetuesit që veprojnë në Kosovë. Ndërkaq, kundruall këtyre problemeve KPM-ja, sipas Zejnullahut, nuk ka sistem të mirëfilltë të monitorimit dhe vepron sipas rasteve dhe ankesave.

Kryeshefja e ekzekutivit të KPM-së, Naile Selimaj, duke folur për këto probleme të ngritura, tha se Ligji për Komisionin e Pavarur për Media është duke u zbatuar, por jo me dinamikën e paraparë dhe në tërësinë e tij, si pasojë edhe e mungesës së akteve nënligjore. Kur është fjala për vërejtjet rreth punës së operatorëve kabllovik, ajo tha se deri nga fundi i prillit do të jetë e gatshme draftrregullorja me të cilën do të rregullohet transmetimi i këtyre operatorëve. Ajo tha se në praktikën e deritashme bëhet monitorimi periodik dhe sipas ankesave. Rrethanë kufizuese në këtë aspekt është mungesa e eksperiencës, kufizimet buxhetore, si dhe mungesa e kapaciteteve të nevojshme njerëzore. Në të gjitha këto aktivitete negativisht po reflektohet edhe fakti që Unioni Evropian i Telekomunikacionit ende nuk e njeh si anëtare Kosovën. Edhe Selimaj përmendi çështjen e mosrespektimit të kushteve të licencave, si dhe pengesat ndërmjet transmetuesve, që vijnë sidomos nga Serbia.

Nga ana e Refik Kasit, përfaqësues nga Qendra për Komunitete, u bënë vërejtje se disa pjesë , sidomos ato të populluara nga komuniteti boshnjak , por edhe ai goran nuk mbulohen nga RTK-ja, ndërkaq, qytetarët janë të obliguar të paguajnë taksën mujore për këtë transmetues. Ai propozoi që për nevoja të qytetarëve boshnjakë të Zhupës të shpallet një tender për një transmetues radioteleviziv. Në këtë dëgjim publik u bënë vërejtje pse nuk merrte pjesë kryetari i Këshillit të KPM-së, Isuf Berisha, megjithëse ishte i ftuar.

Dëgjim publik rreth vërejtjeve të AMPEK - ut lidhur me zbatimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media