Lajmet e fundit

Anëtarët e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar pritën eurodeputetin Lagendijk

, 04.04.2007




Komisioni Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike ka pritur sot anëtarin e Parlamentit Evropian, Joost Lagendijk, i cili njëherësh është raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Kryetari i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, Sabri Hamiti, i cili e ka udhëhequr takimin, por edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Bajram Rrexhepi, Nexhat Daci dhe Jakup Krasniqi e kanë falënderuar Parlamentin Evropian për miratimin e Rezolutës në mbështetje të planit të Ahtisarit për statusin e Kosovës, në të cilën është theksuar shprehimisht sovraniteti i mbikëqyrur i Kosovës dhe, në këtë vështrim, kanë spikatur edhe kontributin personal të europarlamentari Lagendijk për miratimin e kësaj rezolute.

Parlamentarët e Kosovës Rezolutën e Parlamentit Evropian e kanë vlerësuar si hap të rëndësishëm për unifikimin e qëndrimeve të vendeve të Unionit Evropian për Kosovën, si dhe për zhvillimin vendit pas pavarësisë. Ata, ndërkaq, kanë vlerësuar se Kosova do të ketë nevojë edhe në të ardhmen për mbështetje dhe këshilla nga Unioni Evropian, duke theksuar sidomos mbështetjen për zhvillimin ekonomik të vendit, për ndërtimin e sistemit të drejtësisë e të sigurisë, për zhvillimin e shkencës dhe të arsimit, si dhe lehtësime për lëvizjen e njerëzve e të mallrave.

Parlamentari evropian, Joost Lagendijk, i cili ka shprehur kënaqësinë që ndodhet në Kosovë pas miratimit të rezolutës (me shumicë dërmuese të votave të europarlamentarëve), ka theksuar se më shumë se vetë përmbajtja e rezolutës ka pasur rëndësi emërtimi i saj, përkatësisht theksimi i sovranitetit të mbikëqyrur për Kosovën. Unioni Evropian është i interesuar të flasë me një zë për planin e Ahtisarit, në mënyrë që atë ta përkrahin edhe anëtarët e tjerë, të cilët, aktualisht, nuk mendojnë njësoj, ka thënë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Duke folur për praninë e UE-së në Kosovë, Lagendijk ka theksuar se pas pavarësisë Kosova do të ndihmohet në shumë drejtime, sidomos në atë ekonomik. “E ardhmja e Kosovës gjithsesi do të jetë brenda Unionit Evropian, por juve ju mbetet që me punë të mirë ta shkurtoni rrugën e anëtarësimit“, ka thënë eurodeputeti Laggendijk.

Duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve kosovarë për gjasat e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë interes t’i vizitojnë vendet e Unionit Evropian, Lagendijk ka thënë se kur të arrihet sukses i mirë në Kosovë, janë gjasat se, nëse jo për gjithë popullsinë e Kosovës, të ketë lehtësi vizhash për punonjës shkencorë, studentë, ligjërues, artistë e tj.

Anëtarët e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar pritën eurodeputetin Lagendijk