Lajmet e fundit

Deklaratë e Kuvendit të Kosovës në mbështetje të Raportit dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës të Martti Ahtisaarit, të dërguarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

, 05.04.2007




Kuvendi i Kosovës, përmes kësaj Deklarate

Mirëpret Raportin Final të të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara për Procesin e Statusit të Kosovës, të paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 26 mars 2007, duke besuar se rekomandimet e tij paraqesin një zgjidhje të drejtë dhe të balancuar, që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.

Pranon dhe zotohet të implementojë plotësisht Propozimin Gjithëpërfshirës të Marrëveshjes për Statusin e Kosovës, të paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 26 mars 2007, dhe deklaron, nën supozimin që Marrëveshja është e pranueshme për Këshillin e Sigurimit, se dispozitat që i përmban Marrëveshja do të jenë ligjërisht të obligueshme për Kosovën.

Mirëpret pa rezervë praninë ndërkombëtare civile dhe të sigurisë që do të krijohet në Kosovë, siç parashihet në Marrëveshje, dhe zotohet se do të bashkëpunojë dhe do ta mbështesë këtë prani në çdo mënyrë të mundshme, përderisa kjo prani ndërkombëtare civile dhe e sigurisë t’i kryejë detyrat që i janë dhënë me Marrëveshje.

Prishtinë, 5 prill 2007