Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën për përcaktimin e statusit të Kosovës, sipas Planit të Ahtisarit

, 05.04.2007




Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në seancë plenare një Deklaratë në përkrahje të plotë për Raportin e Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaari, lidhur me Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës.

Seancën e ka hapur dhe e ka drejtuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.

Kryetari i Kosovës dhe kryetari Grupit Negociator, Fatmir Sejdiu, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka vlerësuar angazhimin e përkushtuar të presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës dhe ka spikatur mbështetjen e mekanizmave relevant ndërkombëtarë dhe të shumë vendeve të botës për planin e z.Ahtisari, duke theksuar se zgjidhja që ofrohet me këtë dokument është konform vullnetit të popullit të Kosovës dhe interesit të të gjitha bashkësive etnike në Kosovë.

Edhe anëtarët e tjerë të Grupit Negociator të Kosovës: kryeparlamentari Kolë Berisha, kryeministri Agim Çeku, kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Reformiste ORA, kanë vënë në pah të arriturat e Kosovës dhe perspektivat që hap për popullin e Kosovës propozimi i Ahtisarit.

Të gjithë anëtarët e Grupit Negociator, ndërkaq, kanë theksuar se me miratimin e Planit të Ahtisarit nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bëhet hapi vendimtar drejt pavarësisë së Kosovës dhe hapen mundësi të gjëra zhvillimi për vendin.

Pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, e ka lexuar tekstin e Deklaratës në mbështetje të Raportit dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës të Martti Ahtisaarit, të Dërguarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, deputetët e kanë miratuar atë duke u ngritur në këmbë dhe duartrokitur.

Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën për përcaktimin e statusit të Kosovës, sipas Planit të Ahtisarit