Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 10.04.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca plenare e Kuvendit të mbahet të premten, më 13 prill dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Kabineti qeveritar, në fillim të seancës do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse më pastaj do të procedohet me shqyrtimin e ligjeve. Për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për bujqësinë organike, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për transfuzionin e gjakut dhe të produkteve të tij, ai për Emrin personal, dhe ai për Numrin personal.

Kryesia ka vendosur që të ketë debat të pakufizuar parlamentar për Raportin e Komisionit Rregullator për Prokurim Publik për vitin 2006, kurse e ka hequr nga rendi i ditës shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion për emërimin e kandidatëve për anëtar të Komisionit të konkurrencës. Çështjen ia kthen komisionit, me vërejtjen që të zbatohen procedurat e parapara për përzgjedhjen e kandidatëve.

Duke e shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të ORA-s për radhitje në rend dite të debatit lidhur me ndryshimin e tarifave dhe politikat në sektorin e energjisë, Kryesia ka vendosur që çështja të shtyhet për seancën e radhës dhe të ftohen kryeministri, ministri i Energjetikës, si dhe kryesuesi i Autoritetit Rregullativ të Energjisë.

Shtyhen për ndonjë seancë tjetër edhe tri kërkesa të PDK-së për debat lidhur me arsimin në Kosovë, çështjet e rinisë dhe krimet e bëra nga regjimi komunist nga viti 1945 deri më 1999, kërkesa këto të shtruara prej kohësh. Deri sa dy kërkesat e para shtyhen për shkak se ende nuk është përgatitur materiali i nevojshëm nga ministritë përkatëse, kërkesa për krimet e sistemit komunist shtyhet, në mënyrë që në ndërkohë të përgatitet një rezolutë, për dënimin e këtyre krimeve, e cila duhet të harmonizohet nga grupet parlamentare.

Kryesia ka shqyrtuar edhe kërkesa të tjera të grupeve parlamentare, të komisioneve parlamentare dhe të disa deputetëve, për çështje të ndryshme të mbarëvajtjes së punës së legjislativit të Kosovës.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit