Lajmet e fundit

Komisioni për Siguri vizitoi Qendrën e Situatave

, 11.04.2007




Në kuadër të aktiviteteve të mbikëqyrjes parlamentare mbi sektorin e sigurisë, Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naim Maloku, kryetar i Komisionit, vizitoi Qendrën e Situatave, e cila funksionon ne kuadër të Zyrës për Siguri Publike të Kryeministrit, ku u prit nga stafi drejtues i kësaj zyre.

Fillimisht shefi i Zyrës për Siguri Publike, z. Enver Oruqaj pasi u dëshiroi mirëseardhje Komisionit, tha se kjo vizitë është shumë e rëndësishme pasi Komisioni do te njoftohet për aktivitetin e Qendrës së Situatave. Ai theksoi se kjo qendër është ngritur falë ndihmës së Qeverisë Britanike.

Udhëheqësi i Qendrës, z. Mustafe Gashi, ka prezantuar para Komisionit parlamentar rolin, misionin dhe objektivat e kësaj qendre. Kjo qendër është një strukturë permanente në mbështetje të Kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës për të realizuar, drejtuar dhe kontrolluar informacionet me qëllim të administrimit të situatave dhe operacioneve në kohë normale apo krize.

Misioni i saj është të shërbeje si qendër kombëtare për shkëmbimin dhe analizimin e informacioneve në menaxhimin e krizave. Kjo qendër operon 7 ditë në javë gjatë 24 orëve. Struktura funksionale e saj është e ndërtuar nga dy komponentë: komponenti i grumbullimit të informacionit dhe komponenti analitik.

Më pas, z. Fill Cok nga Zyra Britanike e cila ka ndihmuar ngritjen e kësaj qendre ka paraqitur para Komisionit procesin e ngritjes së kësaj qendre. Qeveria Britanike ka investuar afër gjysmë milioni euro për këtë qellim. Deri në qershor besojmë të funksionalizojmë në tërësi këtë qendër. Për funksionim e qendrës vështirësi paraqet fakti se ende nuk kemi definimimin e arkitekturës se sigurisë ne Kosovës por besojmë se kjo arkitekturë do te ndërtohet sipas rekomandimeve te ISSR-rё. Problem tjetër është mungesa e kuadrit pasi kufizimet buxhetore nuk lejojnë rekrutim te stafit dhe kemi një marrëveshje për huazim tё kuadrit nga institucionet tjera.

Nё fund të takimit Kryetari i Komisionit pёr Siguri ka falënderuar Qeverinë Britanike për ndihmën e dhëne për ngritjen e kësaj qendre dhe nё emër te komisionit është zotuar se Komisioni do të përkrahë punën e qendrës. Takimi është mbyllur me një vizitë nëpër ambientet e Qendrës sё Situatave.