Lajmet e fundit
Grupi Negociator i Kosovës u kthye nga konferenca në New York
, 16.04.2007
Grupi Negociator i Kosovës, i kryesuar nga presidenti Sejdiu është kthyer sot nga New York-u, ku ka marrë pjesë në Konferencën treditore ndërkombëtare me temën “Zhvillimi i strategjisë 120 ditore për Kosovën”.
Kryetari i Grupit Negociator, Fatmis Sejdiu, por edhe anëtarët Hashim Thaçi e Veton Surroi kanë vlerësuar lartë konferencën dhe deklaratën e nënshkruar në fund të saj, si dhe takimet e shumta me përfaqësues të ndryshëm të jetës politike amerikane, ekspertë të njohur të çështjeve ndërkombëtare dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme të cilat kanë kaluar procese të vështira historike.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, gjithashtu anëtar i Grupit Negociator, ka deklaruar në të kthyer nga New York-u se kësaj radhe nuk është biseduar për statusin e Kosovës, sepse statusi i Kosovës është i zgjidhur, por është biseduar për mënyrën e implementimit të Pakos së Ahtisarit, gjatë periudhës 120 ditëshe.
Duke folur për punën e legjislativit të vendit në të ardhmen Berisha është shprehur: ”Natyrisht se për Kuvendin e Kosovës do të ketë një fushatë të punës më të ngjeshur, sepse do ta hartojmë Kushtetutën dhe do t’i miratojmë të gjitha ligjet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit”.
Lidhur me deklaratën e miratuar në fund të konferencës, ndërkaq Berisha ka deklaruar:” Në deklaratën që kemi miratuar nuk flitet më për bisedime, siç insiston ndonjëherë Rusia, sepse bisedimet për statusin kanë përfunduar”
Për sa i përket takimeve që Grupi Negociator ka realizuar në NewYork, kreu i Kuvendit është shprehur: ”Në konferencë kemi takuar pjesëmarrës të vendeve të ndryshme të cilët kanë kaluar nëpër faza, sikurse po i kalon Kosova. Takuam edh ekspertë të cilët na shpjeguan për mënyrat e implementimit të kësaj faze.