Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit legjislativ

, 17.04.2007




Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetues, në drejtimin e Hydajet Hysenit, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar sot zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, ndërkaq në takim ka marrë edhe pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, i cili i ka njoftuar anëtarët e komisionit me hapat që ka marrë dhe do t’i marrë në vazhdim Ministria e Drejtësisë për sundimin e ligjit, rritjen e efikasitetit të gjykatave, përmirësimin e kushteve të të burgosurve gjatë vuajtjes së dënimit, si dhe për punën që po bëhet për miratimin e legjislacionit të nevojshëm për funksionim të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Kryetari i komisionit, Hyseni, duke e hapur takimin, ka theksuar se vendit i nevojitet një sistem bashkëkohor dhe funksional i drejtësisë, i bazuar në ndarjen dhe balancin e pushteteve. Ai ka thënë se komisioni, të cilin e udhëheq, angazhohet për depolitizimin e gjyqësorit dhe riemërimin e kuadrit gjyqësor dhe prokurorial, duke shtuar se na duhet punë e përbashkët, në mënyrë që të mos na përsëritën atavizmat e dënimeve politike në Kosovë. Ai, ndërkaq, ka tërhequr vëmendjen se nuk janë marrë parasysh sa duhet vërejtjet e komisionit pas vizitës që u ka bërë burgjeve të Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, pasi ka përkujtuar kompetencat e reja që ka marrë ministria, të cilën e udhëheq, ka folur për strukturimin e saj, si dhe për funksionalizimin dhe efikasitetin e gjyqeve në Kosovë. Ai me këtë rast ka përmendur faktin se, megjithkëte, sa vjen e shtohet numri i lëndëve të papërfunduara nëpër gjykata, duke konstatuar se nuk mjaftojnë vetëm 421 gjyqtarë dhe prokurorë në gjykatat e Kosovës. Salihaj ka qenë i një mendje se nevojitet reformim i thellë i sistemit të drejtësisë, rritje e përgjegjësisë profesionale, si dhe eliminim i atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë rënë ndesh me ligjin dhe moralin.

Salihaj ka përmendur rezultatet e lavdërueshme në lëmin e shërbimit sprovues dhe atij korrektues të Kosovës dhe është angazhuar për aplikimin e dënimeve alternative.

Duke folur për hapat që po merr ministria e tij për hartimin e legjislacionit të nevojshëm për sistemin e drejtësisë, ai ka përmendur Projektligjin për gjykatat, atë për Prokuroritë, Projektligjin për procedurat kontestimore, jokontestimore dhe përmbaruese, që së shpejti do të vijnë në Kuvend për miratim, si dhe miratimi i Projektligjit për noterinë, i cili ka kaluar shqyrtimin e parë. Këto ligje do ta lehtësojnë shumë punën e gjykatave ka thënë ministri i Drejtësisë.

Anëtarët e komisionit kanë vlerësuar punën e ministrisë dhe janë zotuar se do ta ndihmojnë atë për sundimin e ligjit në Kosovë dhe krijimin e një sistemi bashkëkohor të drejtësisë. Kryetari i komisionit, Hydajt Hyseni, ndërkaq, në përfundim të takimit ka kërkuar lirimin e të gjithë të burgosurve pa faj, përfshirë edhe liderin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Nga mbledhja e Komisionit legjislativ