Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të Bundestagut gjerman

, 18.04.2007




Kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, ka pritur sot një delegacion të Bundestagut gjerman, në përbërje: Lale Agun, Krt Bodewing, Johannes Jung dhe Axel Schafer, që të katërt deputetë, të shoqëruar nga shefi i Zyrës gjermane në Prishtinë, Eugen Wollfarth.

Në takim është biseduar për zhvillimin e raporteve të ndërsjella, pas përcaktimit të statusit të Kosovës, me theks të veçantë për zhvillimin ekonomik, çështjet sociale dhe miratimin e legjislacionit në harmoni me ligjet e vendeve të Unionit Evropian.

Kryeparlamentari Berisha është shprehur se Kosova ndodhet ë fund të fazës së përcaktimit të statusit të vendit, se pala kosovare e ka bërë pjesën e saj të punës dhe se Kuvendi ka pasur një rol të veçantë në realizimin e standardeve për Kosovën. “ Tani e ka fjalën bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht Këshilli i Sigurimit”, ka thënë Berisha, i cili është shprehur optimist se do të dominojë e drejta dhe argumentet, pra vullneti i shumicës dhe garancia maksimale për minoritetet në Kosovë.

Parlamentarët gjermanë janë interesuar për mundësitë zhvillimit ekonomik të Kosovës, sidomos për mundësitë e investimit të kapitalit të diasporës së Kosovës në ekonominë e vendit, për pozitën e minoriteteve, sidomos për gjasat e kthimit të deputetëve serbë në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës është shprehur se roli i Kuvendit në fazën që po hyjmë do të jetë i veçantë, sepse pritet të miratojmë Kushtetutën, t’i miratojmë ligjet e duhura dhe ta përshtatim gjithë legjislacionin tonë me atë të Unionit Evropian, si dhe të përgatitemi për zgjedhjet. Ai pastaj ka theksuar interesimin e vendit tonë për anëtarësim në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë dhe për lehtësimin e investimit të kapitalit të huaj, sidomos të atij të diasporës sonë në ekonominë e vendit. Ai i ka garantuar deputetët gjermanë se Kuvendi ka bërë të pamundurën që deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës të kthehen në seancat plenare dhe t’i kontribuojë zhvillimit dhe stabilitetit të Kosovës, ku qytetarët serbë të Kosovës e kanë ardhmërinë të sigurt të tyre.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të vazhdojë mbështetja e Bundestagut Gjerman për legjislativin e Kosovës nëpërmjet të Projektit të katër parlamenteve, që ka bërë punë të madhe në Mbështetje të Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të Bundestagut gjerman