Lajmet e fundit

Dëgjim publik në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport

, 18.04.2007




Kinematografia në Kosovë është në gjendje shumë të rëndë. Kjo është pasojë e faktit që nuk po zbatohet në praktik ligji për kinematografinë. Megjithëse ligji ka disa mangësi, po të zbatohej ashtu si është do të arriheshin më shumë rezultate në fushën e filmit kosovar. Këto ishin vetëm disa nga brengat e krijuesve të lëmit të kinematografisë së Kosovës në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës , i kryesuar nga Enver Hoxhaj,kryetar i Komisionit, lidhur me mёnyrën e implementimit të Ligjit për Kinematografi nr. 2003/22, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 08.07.2004, të shpallur me Rregulloren e UNMIK-ut 2003/38, më 30 korrik 2004.

Një nga pasojat e moszbatimit të ligjit është edhe fakti që Qendra Kinematografike e Kosovës ende nuk vepron ashtu si e përcakton ligji . Ajo është Qendër vetëm në letër duke mos mundur të kryejë funksionin e vet themelor, pra të jetë promotor i zhvillimit të filmit . Në kuadër të kësaj Qendre nuk veprojnë as segmentet tjera që i parasheh ligji. Nga krijuesit e filmit bëheshin edhe shumë vërejtje sa i përket keq menaxhimit të mjeteve me rastin e realizimit të projekteve, si dhe në mos angazhimin e Ministrisë së Kulturës për zbatimin e ligjit.

Pas këtij debati shumë të gjerë u konstatua se Komisioni do të angazhohet maksimalisht për të dalë nga kjo situatë. Në këtë vështrim u tha se shumë shpejt në një mbledhje të këtij Komisioni do të ftohen ministri i Kulturës dhe ai i Buxhetit dhe Financave për të parë se si të gjenden rrugët për të dalë nga kjo gjendje e rëndë .

Dëgjim publik në Komisionin për  Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë,  Rini e Sport